E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toti: Mendova lamtumirën pas shkelmit ndaj Balotelit

Rrëfehet kapiteni i Romës, i cili më pas i sulmon të gjithë ata që, sipas tij, nuk e duan

“Ka pasur një moment në të cilin kam menduar të tërhiqem”. E ka pranuar Françesko Toti, duke iu referuar shkelmit ndaj Balotelit në finalen e Kupës së Italisë. “Me Balotelin nuk kam folur më, pasi i kam kërkuar falje publikisht dhe i kam dhënë dorën po atë natë. U mendova për atë që ndodhi, si në fushë dhe jashtë saj, shpjegon ai. çdo herë që ndodh një gjë që ka lidhje me mua vlen 10 herë më shumë. E kam pyetur veten disa herë. Ndoshta zilia, ose ndoshta ndodh sepse në fund të fundit jam i mirë. Por ka shumë mundësi të jem antipatik për shumë persona, ngaqë jam roman”. “Pastaj, shton ai, fola me njerëz të rëndësishëm, të afërm. Kur ka pasion, është e drejtë të ecësh përpara. Klubi më qëndroi pranë”.

Klubi — “Unë kam besim te ky klub, e falënderoj gjithnjë këtë familje: Nëse Rosela ikën, e rëndësishme është të vijë dikush që ta dojë me zemër këtë skuadër, sheik apo arab qoftë ai. Nëse një sheik do hedhë 200 milionë për merkaton, do na bënte të lumtur”.

Kombëtarja — “Nuk kam parë shumë ndeshje të Italisë, sepse isha jashtë, por sinqerisht nuk mendoja se do të dilte në turin e parë. Askush nuk e kishte pritur. Ndodhi sepse shumë lojtarë nuk ishin në formë. Me mua ndoshta do të kishte qenë njëlloj, por do të dinin me kë të kapeshin. Por Lipi nuk më mori. Prandeli? është një trajneri i madh dhe një njeri i madh, e meriton plotësisht”.

Sezoni — "Do të kërkojmë të fitojmë trofe të rëndësishëm, pasi titulli kampion për Romën është diçka shumë e rëndësishme, por edhe e vështirë. Kemi bërë dy blerje të mira, Adrianon e Menez”.

Tifozët — “Tifozët tanë janë të mrekullueshëm, e duan vërtet këtë bluzë, e vënë para çdo gjëje tjetër, na i kanë zili të gjithë. I falënderoj si kapiten në emër të skuadrës, sepse na ndjekin me dashuri kudo”.

Titulli i humbur — “Vitin e fundit dështuam në pjesën e dytë ndaj Sampdorias, aty e humbëm titullin. Të tjerët janë të fortë dhe marrin ndihma nga të gjithë, por titullin e sezonit të fundit e humbëm ne, ndërsa përpara na i kanë vjedhur nja-dy”.
Murinjo – Më pas lëshon një shigjetë për Murinjon: “A humbet futbolli italian ndonjë gjë pa atë? Jo! Teknologjia në fushë? Po, duhen telekamerat në fushë, por më pas do të ishte gjithçka më e thjeshtë, nuk do të kishte thashetheme të dielën në mbrëmje, nuk mund të fliten më budallallëqe”.

Maradona — "Diego Maradona më pëlqen si person, është njeri i mirë, simpatik, më pëlqen fytyra e tij, në fund shpresoja ta fitonte ai Botërorin. E preferoj Maradonën më shumë se Platininë apo Kapelon, skuadrat e të cilit kisha menduar se do të mund të shkonte edhe më përpara, pasi kishte në dispozicion futbollistë të mëdhenj”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›