E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj: Qeveria mashtroi me pensionet

Socialistët e cilësuan si mashtrim rritjen e fundit të pensioneve të shqiptarëve, duke u shprehur se qeveria bëri vetëm indeksimin e tyre. 

Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqaj, deklaroi dje se, studimi më i fundit për buxhetet familjare konfirmon vlerësimet e përsëritura të PS-së 6 muajt e fundit për inflacionin dhe se nga analiza e informacionit të pakët të vënë në dispozicion nga institucionet përgjegjëse, rezulton se inflacioni në muajt e fundit është 25 % më i lartë se ai deklaruar nga qeveria. "Vetëm sipas disa llogarive të thjeshta rezulton se inflacioni në muajin qershor 2008 ishte 4.9 %, ndërsa në mars 2008 ka qenë gati 6 %. Këto llogaritje tregojnë se rritjet e papara të pensioneve e pagave që trumbetoi kryeministri para 1 muaji, janë vetëm ruajtje e nivelit të jetesës sa një vit më parë. PS-ja i kërkon qeverisë të heqë dorë nga ndikimet politike në llogaritjen e statistikave", deklaroi Beqaj. Sipas studimit, shqiptarët shpenzojnë për grupin "Ushqime" 48 % të buxhetit familjar dhe jo 39 % sa vlerëson INSTAT në llogaritjen e inflacionit. Brenda grupit "Ushqime" shqiptarët shpenzojnë 20% më shumë sesa vlerëson INSTAT.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›