E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-spiunët, PD-ja shtyn votimin

Apeli i OSBE-së "Për ligjin e ish-spiunëve" po sjell reflektim te maxhoranca dhe te klasa politike shqiptare. 

BLEDAR HOTI

Demokratët dhanë dje shenja tërheqjeje duke tentuar votimin me konsensus të projektligjit "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve". Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar dje se, do të kërkonte që socialistët të japin konsensusin e tyre në lidhje me këtë projekt. Një ditë pas deklaratës së bërë nga OSBE-ja për arritjen e një konsensusi për këtë ligj, demokratët nëpërmjet Patozit lanë të hapur mundësinë që drafti të miratohet edhe në sesionin e ardhshëm parlamentar. "Ngërçi nuk qëndron tek ne. Ne jemi të hapur për diskutime dhe për dialog dhe për të lëshuar. Kjo do të varet shumë dhe nga vullneti i opozitës për t'u kthyer në proces dhe për të finalizuar miratimin e këtij projektligji", u shpreh Patozi. Sipas kreut të grupit të maxhorancës, "kalendari nuk prevalon kurrë mbi vullnetin politik dhe mbi kohën e duhur që duhet për shqyrtimin e një ligji në mënyrë që ky të jetë sa më i pjekur dhe sa më eficentë. Kjo do të thotë se nuk mund të jemi fanatikë të kalendarit". Demokratët janë shprehur se janë të gatshëm që të presin vërejtjet e PS-së për ligjin që parashikohet të votohet më 21 korrik. Ndërsa socialistët tërheqjen e PD-së e shohin si reflektim të partisë në pushtet pas apelit të lëshuar nga ana e OSBE-së. "Reflektimi i z.Patozi dhe i PD-së është i mirëpritur, në qoftë se është serioz. Ne këto dy gjëra kemi kërkuar, kemi kërkuar më shumë kohë, që ligji të jetë i konsultuar. Është një ligj serioz dhe nuk mund të bëhet blic, pra brenda një jave, sidomos në një moment, që diskutohen shumë ligje, janë 35 ligje që diskutohen në Parlament dhe është futur edhe ky brenda një jave", theksoi Leskaj. Sipas kryetares së grupit më të madh opozitar, projekti i paraqitur së fundmi nga PD-ja nuk është një ligj për hapjen e dosjeve, është një ligj lustracioni. "Për këtë arsye ne kemi kërkuar javën e kaluar, që përveç afatit kohor, projektligji të ketë në themel rezolutën e Këshillit të Evropës, e cila i adresohet dhe në mënyrë specifike çështjes së lustracionit, i adresohet çështjes së hapjes së dosjeve. Ka kërkuar, që të respektohet Kushtetuta e vendit dhe natyrisht edhe rregullorja e Kuvendit", vijoi Leskaj. PS-ja shprehet se duhet një ligj për hapjen e dosjeve dhe se nuk ka më nevojë për një ligj lustracioni. Leskaj gjithashtu shtoi se, nuk ka kohë për ta votuar këtë nismë brenda 10 ditëve të mbetura të këtij sesioni parlamentar. Ndërsa LSI-ja, nëpërmjet kreut të KDK-së, Edmond Xhaxhinasto, e ka cilësuar si me mjaft të goditur dhe të drejtë qëndrimin e OSBE-së. "Në emër të LSI-së unë e përshëndes një qëndrim të tillë nga OSBE-ja. Por kujtojmë se shqetësimi i OSBE-së për procesin e miratimit të legjislacionit dhe cilësisë së tij përbën gjithashtu një nga kritikat më të ashpra që Bashkimi Evropian bën për Shqipërinë në progres-raportin e vitit 2007", u shpreh Haxhinasto. Ai theksoi se, LSI-ja kërkon që OSBE-ja dhe ODIHR-i, Komisioni Evropian dhe partnerët euroatlantikë, të angazhohen me një vëmendje dhe kujdes shumë më të madh, për të garantuar legjitimitetin e procedurave dhe standardeve ligjore të Kodit të ri Zgjedhor, në mënyrë që Shqipëria të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2009 dhe të hiqet nga lista e zezë e vendeve problematike.

Përplasjet
PS-ja shprehet se ligji për lustracionin e ka mbaruar afatin e tij dhe se vendit i nevojitet një ligj për hapjen e dosjeve dhe jo për lustrimin e zyrtarëve. Leskaj theksoi në të njëjtën kohë se, procesi i lustrimit është ezauruar me dy komisionet e mëparshme të pastërtisë së figurave. Ajo e cilëson absurde hedhjen poshtë të punës së kryer të dy komisioneve të mëparshme, "Mezini" dhe "Bezhani". Ndërsa Patozi thekson se, "si PD kemi durimin e duhur që të shkojmë me një ligj nonsensual". "Por, më shumë sesa koha mungon vullneti politik nga përfaqësuesit e opozitës. Ata deri më sot janë refraktar dhe unë shpresoj që ky qëndrim të ndryshojë. Vetë opozita do të ishte pala më e interesuar për t'u distancuar nga e shkuara e saj ish-komuniste", thekson nënkryetari i PD-së.

Apeli i OSBE-së
Kreu i prezencës së OSBE-së, Robert Bosch, në lidhje me draftin "Për hapjen e dosjeve" kërkoi një konsensus të gjerë për miratimin e një ligji të tillë. Në një deklaratë zyrtare për median, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, nxit ligjvënësit shqiptarë t'u japin kohën e mjaftueshme konsultimeve për legjislacionin lidhur me ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, ndërsa theksoi rëndësinë që ka për vendin zgjidhja e kësaj çështjeje dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare. OSBE-ja kërkoi që votimi të kryhet në shtator.

Votimi, më 21 korrik

Kuvendi i Shqipërisë ka planifikuar të votojë projektligjin "Për pastërtinë e figurave publike", më 21 korrik. Ky votim realizohet disa ditë përpara ndërprerjes së punimeve të këtij sesioni parlamentar. Paraditen e së hënës komisioni i Ligjeve do të vendosë për draftin dhe pasdite do të realizohet votimi i tij në seancë parlamentare. Nëse s'ka konsensus pritet të ketë debat mes PS-së dhe PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›