E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Shqipëria ka vuajtuar nga klasa politike dhe qeverisja

Fondacioni "Qemal Stafa" dhe Partia Laburiste britanike zgjodhën për të debatuar me të rinjtë e qytetit të Elbasanit për modelin e ri të politikanit të së ardhmes. 

Mbi 250 të rinj nga Elbasani, Librazhdi dhe qytetet e tjera të qarkut, si dhe shumë qytetarë të pranishëm morën pjesë në këtë spektakël politik i treti që organizohet nga fondacioni "Qemal Stafa". Të rinjtë e FRESSH-it nga i gjithë Qarku i Elbasanit dhe ata nga Tirana që zhvillojnë turin veror morën pjesë në këtë takim. Drejtori Ekzekutiv i fondacionit "Qemal Stafa", Sajmir Tahiri, deklaroi se, "është e sigurt se nuk ka receta të parapërgatitura për politikanin e të ardhmes, por mund të biem të gjithë dakord se politikani më i mirë është ai që punon për interesin e përgjithshëm e jo për interesin privat, është ai që politikën e ndërton bashkë me qytetarët e jo në kafenetë e restorantet e majmura të Tiranës". Sipas tij, "fatkeqësisht, këtë lloj politikani nuk e shohim sot tek këta që na qeverisin, por patjetër e shohim te gjenerata e re e politikanëve që po lind, tek ata që kanë përqafuar që në fillim këtë filozofi e që sot e gjithë ditën punojnë për ta bërë realitet së bashku me qytetarët". Ndërsa analisti, Skënder Minxhozi, shtoi se, "ne mund të mos dimë si duhet të jetë modeli i politikanit të së ardhmes, por të paktën dimë si nuk duhet të jetë, dhe qartësisht nuk duhet të jetë si Sali Berisha, Fatos Nano dhe sëra e politikanëve të vjetër të ngjashëm me këta. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka ardhur koha jo vetëm për rotacion politik ndërmjet partive politike, por edhe për rotacion brenda elitave të vetë partive politike". Ndërsa për drejtorin e Lëvizjes Evropiane, Ditmir Bushati, modeli i politikanit të së ardhmes duhet t'i ketë rrënjët tek edukimi i mirë, si dhe tek eksperienca profesionale". "Gjithashtu, mendoj se profesioni i politikanit është shumatorja e sukseseve në fushat e tjera, pra është një profesion që gjen mbështetje në implementimin e atij profesioni që bazohet në ushtrimin e besimit publik në emër të interesave qytetarëve", tha Bushati. Anëtari i kryesisë së PS, Namik Dokle, duke argumentuar politikën e re u shpreh se, partia që përfaqëson ai po e bën atë realisht. "Politikë të re ndjek ajo parti që jeton me shqetësimet e kohës dhe që punon për ndreqjen e tyre, politikë e re është ajo që jeton me qytetarët dhe me shqetësimet e tyre. Partia Socialiste po punon aktivisht me dy komunitete të rëndësishme, me rininë dhe gratë, dy komunitete prej nga dalin edhe liderët e së ardhmes, ata që nesër do të marrin fatet e vendit në dorë", vijoi Dokle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›