E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rice kërkon masa nga Pakistani

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, u ka bërë thirrje autoriteteve pakistaneze që të mbajnë një qendrim më të ashpër ndaj terrorizmit. Znj. Rice ndodhet në Pakistan pas vizitës që bëri në Indi, e cila synonte të ulte nivelin e tensioneve mes dy fqinjëve pas sulmeve të Bombeit javën e kaluar. Rreth 200 persona humbën jetën gjatë këtyre sulmeve. India thotë se sulmuesit ishin nga Pakistani, por Islamabadi nuk e pranon përfshirjen. Korrespondenti i BBC-së në Islamabad, Charles Haviland thotë se Amerika kërkon nga Pakistani që të ndërmarrë veprime të vendosura ndaj grupeve militannte në territorin e vet. Një zyrtar i ambasadës amerikane në kryeqytetin pakistanez tha se Condoleezza Rice do të zhvillonte takime me zyrtarë pakistanezë për disa çështje rajonale, por nuk dha hollësira të mëtejshme. Sekretarja e Shtetit arriti në Pakistan me avion nga India dhe vizita e saj duket se kërkon të minimizojë tensionet që janë përshkallëzur mes dy fqinjëve, të dy të armatour me armë bërthamore, pas sulmeve në Bombei. Pakistani ka shprehur keqardhje për vrasjet, por i ka vënë në dyshim pretendimet e Indisë se sulmuesit ishin nga Pakistani. Gjatë qëndrimit në Deli, zonja Rice tha se Pakistani kishte "përgjegjësi të posaçme" për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Në avion, duke udhëtuar drejt Islamabadit, ajo tha se gjatë bisedimeve do të trajtohej nevoja që të gjitha vendet të mbanin një qëndrim shumë të ashpër ndaj atij që ajo e cilësoi si kërcënim global të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›