E Diel, 1 Nëntor 2026

Feith: EULEX në të gjithë Kosovën

Prishtinë (start)-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, tha të mërkurën se “zot shtëpie” në Kosovë janë institucionet e saj, por me të nuk u pajtuan plotësisht pjesëmarrësit tjerë të një debati mbi misionet ndërkombëtare në vend.

Këto komente ata i bënë në konferencën me temën “Misioni ndërkombëtar-lehtësim apo barrë për Kosovën”, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, bazuar në raportin e Iniciativës Kosovare për Stabilitet mbi praninë ndërkombëtare në Kosovë, e cila nga konkluzionet e nxjerra ka ardhur deri tek pyetja “Kush është shef në Kosovë”.

Feith tha se Kosova ka Kushtetutën, së shpejti do të ketë Gjykatën Kushtetuese dhe ligjet që do të nxirren nga institucionet e vendit e jo nga dikush tjetër.

Ai tha se EULEX-i, me datën 9 dhjetor do të fillojë të zbarkojë shpejtë dhe se do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. “Vonesa e fillimit të punës së EULEX-it është jo për shkak çështjeve teknike, por për çështje politike”, tha ai.

Feith tha se misioni i EULEX-it nuk është çështje vetëm se si BE-ja është duke funksionuar, por është çështje e interesave shtetërore dhe të ndërkombëtarëve se si ta bëjnë këtë mision të funksionojë. Nëse ky mision dështon, sipas tij, atëherë është kthim prapa për Kosovën, për projektin e pavarësisë dhe objektivat e vendosura më herët.

“EULEX-i nuk është këtu për të krijuar ndarje, por është e kundërta, sepse ky mision do të funksionojë me institucionet që janë elemente pozitive”, tha ai.

Ai tha se nuk duhet të fokusohen shumë në dialogun e gjashtë pikëshit, sepse ky është një proces që është menduar që të lehtësojë zbarkimin e EULEX-it dhe se lajmi i mirë në takimin e KS-së është se asgjë nuk do të ndodhë pa konsultime me autoritetet në Prishtinë dhe se asgjë nuk do të imponohet.

Sipas tij, në Kosovë duhet të punohet në zbatimin e planit të Ahtisaari-t, e gjithashtu në vendosjen e EULEX-it, të zhvillohet arsimi edhe për komunitetet pakicë, të zhvillohet ekonomia dhe Kosova të bëhet një vend atraktiv. “Këto janë çështje vitale që Qeveria dhe BE-ja bashkë me aktorët tjerë duhet t’i bëjë”, tha ai.

Publicisti dhe kryetari i Klubit..., Veton Surroi, tha se i vetmi shef dhe i cili di se çka bëhet në tërë territorin e Kosovës është Komandanti i KFOR-it. “Është e vetmja organizatë e cila ka qartësinë e veprimit të vet në Kosovë, e di mandatin dhe e zbaton atë”, tha ai, duke shtuar se po ashtu KFOR-i mund të krenohet me atë se kontrollon tërë territorin e Kosovës.

Ai tha se të gjithë faktorët tjerë janë në përpjekje e sipër për të krijuar emërtimin e tyre si ‘shef’, përfshirë këtu edhe Qeverinë e Kosovës e cila është e përshkruar me kushtetutë që ajo do të përfaqësojë sovranitetin e vendit.

“Të gjithë faktorët që kanë qenë në qeverisjen në Kosovë dhe janë shumë faktorë, është edhe BE-ja, edhe UNMIK-u, Qeveria e Kosovës, Administrata e Serbisë, nëpërmjet strukturave paralele e që të gjithë po mundohen ta vendosin autoritetin e tyre dhe ky proces nuk ka përfunduar”, tha ai, duke shtuar se plani gjashtë pikësh ka fituar në këtë kohë një dimension të ri.

Surroi tha se Kosova dhe faktorët në të nuk janë të njëjtë çfarë i patën kontraktuar para 17 shkurtit. “Ka ekzistuar një kontratë mes Kosovës dhe BE-së për projektin Ahtisaari dhe shpalljen e pavarësisë brenda këtij projekti dhe tani jemi në një situatë ku kemi një ndërhyrje të Serbisë me gjashtë pikëshin e vet nëpërmjet bashkësisë ndërkombëtare. Fundi i këtij procesi nuk dihet”, tha ai.

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tani lider i Partisë Social Demokrate të Kosovës (PSDK), tha se menjëherë pas pavarësisë kemi pritur që shumë gjëra do të ndryshojnë në Kosovë, në aspektin e prezencës ndërkombëtare, por deri më sot gjërat shumë pak kanë dyshuar në këtë aspekt.

“Ne kemi pritur qartësi, perspektivë të qartë, zhbllokim të proceseve, pronësi mbi Kosovën dhe proceset, ndërsa sot kemi një konfuzion sa i përket prezencës ndërkombëtare në Kosovë”, është shprehur Çeku.

Ai ka pohuar se ne në Kosovë, kemi pritur që problemi më i vogël do të jetë prezenca e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ngase ata insistojnë te ne që ta mbështesim Planin e Ahtisarit, dhe tani po e shohim se ata nuk janë shumë të interesuar që ta mbështesin atë pako.

Ish kryeministri i Kosovës, prezencën ndërkombëtare e shpjegoi përmes metaforës, duke thënë se, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, sillet si prindi me fëmijën.

“Normal që deri sa fëmija është i vogël, prindi e ndihmon fëmijën e vetë e rritet, dhe fëmija e dëgjon prindin e vetë deri sa të rritet. Por një ditë fëmija rritet, piqet dhe atëherë vendimet i merr vetë, e ruan dashurinë dhe respektin për prindin, por jo gjithherë dhe për çdo gjë pajtohet me të, dhe se lidhja vazhdon të ekzistojë”.

Në këtë mënyrë, Çeku shpjegon raportet në mes të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ai ndër të tjera u shpreh se “...ne vërtetë duhet të sillemi si të pjekur, si të rritur, të jemi si shtet dhe të sillemi si shtet”.

Ai tha se kemi pritur që UNMIK-u do të largohet menjëherë pas pavarësisë së Kosovës, e jo ai të mbetet ende këtu. “EULEX-in e kemi ftuar ne vetë, dhe kemi pritur që ai të jetë një mision i cili do të veprojë në baza të Pakos së Ahtisaari-t dhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës, e jo të shndërrohet në një agjenci të UNMIK-ut”, ka vlerësuar ai.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, tha se prezenca e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ka qenë e mirëpritur nga qytetarët dhe institucionet dhe duhet të thuhet se është e mirëpritur edhe sot në formën e re dhe të transformuar.

“Pas 17 shkurtit dhe deklarimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, situata faktike dhe ligjore ka ndryshuar në këtë vend, dhe se kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ata të cilët ende nuk e kanë kuptuar”, është shprehur ai, ndërsa ka shtuar se, në pajtim me planin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Kosovës, prania ndërkombëtare në Kosovë ka një kualitet tjetër.

Ndërsa në pyetjen se kush është shefi në Kosovë, Memli Krasniqi është përgjigjur duke thënë se, duhet përgjigjur në bazë të kontekstit real të Kosovës, ku tani ajo është e pavarur, dhe mendoj se institucionet e Kosovës dhe Qeveria janë shefi në këtë vend, dhe se ata e kanë legjitimitetin, i cili buron nga qytetarët e saj.

Blerim Shala, ish-Koordinator i grupeve punuese të Ekipit të Unitetit, i angazhuar së fundmi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi se prania ndërkombëtare në Kosovë është një domosdoshmëri, sepse edhe gjatë bisedimeve që kemi pasur, kemi arritur në konkludim se duhet të vendosim raporte kontraktuale në mes nesh dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Prania civile ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, duhet të jetë garanci, së pari për zbatimin e Pakos së Ahtisaari-t, ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, ruajtjen e rendit, ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe për përshpejtimin e integrimit të komunitetit serb në pushtetin dhe në shtetin e Kosovës”, është shprehur Shala, ndërsa ka shtuar se, deri më tani asnjëra prej këtyre garancive nuk është jetësuar.

nga Prishtina Veton Rugova

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›