E Diel, 1 Nëntor 2026

Riciklimi i ambalazheve, kritere për fabrikat

Për fabrikat që do të marrin pjesë në procesin e riciklimit të ambalazheve, në veçanti ato të plastikës do të vendosen disa kritere, në mënyrë që të mos shkaktojnë ndotje në mjedis. Ministria e Mjedisit ka gati një tjetër projektvendim për reduktimin e mbetjeve që lidhet me riciklimin e ambalazheve, e që pritet të miratohet së shpejti edhe nga qeveria. Hartuesit e këtij drafti bëjnë publike dhe disa nga detajet se si do të reduktohen mbetjet, në veçanti ato që i përkasin plastikës. Për fabrikat që do të merren me riciklimin do të vendosen kritere, ndërkohë që pjesa tjetër do të përpunohen në landfille. “Do të futen teknologji të tilla për përdorimin e këtyre ambalazheve, zvogëlimin në sasi dhe në volum. Është vendosur një akcizë për plastikën, që ambalazhi i plastikës të importohet nga jashtë. Kjo akcizë është 1 lek/kg. Vendosja e çmimit në ambalazh, nënkupton që ti kur të shkosh në supermarket, qesen që do e marrësh do e paguash me një sasi lekësh”, - thotë Vladimir Bezhani. Por, sipas specialistëve, masat për reduktimin e mbetjeve duhet të fillojnë dhe që nga ndarja në origjinë e mbeturinave. Kjo nënkupton dhe nismën e shumëpërfolur për ndarjen e mbetjeve në kosha të posaçëm, sipas përbërjes që ato kanë. Në fakt, kjo praktikë ende nuk ka filluar të aplikohet me përjashtim të disa rasteve, të cilat kanë qenë në mënyrë vullnetare, për të ndikuar sadopak në pastrimin e mjedisit nga ndotjet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›