E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET, filozofi e re në 5-vjetorin e themelimit

Prorektori Tonin Gjuraj, drejtori i Shkollës Doktorale, Adrian Civici dhe Henri Çili, një prej themeluesve të Universitetit Europian të Tiranës, zbulojnë në “Zonë e Lirë” programet e reja të ofertës akademike, filozofinë për t’iu qasur me sukses tregut të punës, arsyet e hapjes së Shkollës Doktorale për herë të parë në një universitet privat dhe një sërë surprizash e ofertash në tarifat e shkollimit...

Në vitin 2006, katër akademikë të rinj i dhanë jetë një universiteti privat në një godinë të vogël dhe modeste. Sot, pas pesë vitesh nga themelimi, Universiteti Europian i Tiranës ka treguesit më të lartë në procesin e rankimit të universiteteve, po implementon një model krejt të ri menaxhimi, nga shkollë e lartë universitare ka fituar statusin Universitet, ka nisur Shkollën Doktorale, pas licencimit me vendim nga ministri i Arsimit dhe këtë fillimviti akademik vjen me një reformë programesh duke transformuar filozofinë qendrore të tij nga Homo sapiens (njeriu që di) në Homo faber (njeriu që bën), duke i orientuar studimet dhe diplomat nga tregu i punës dhe në prag të ditëlindjes së pestë vjen me një sistem shumë të favorshëm tarifash për të gjitha degët e Shkencave Sociale.

Gjuraj: Nga ‘homo sapiens’ në ‘homo faber’, ose aftësimi për një profesion

“Ideja jonë është shumë e qartë. Të kemi programe thellësisht aplikative, nëpërmjet laboratorëve, nëpërmjet instrumenteve të ndryshme praktike, që të lehtësojmë mundësinë për të gjetur një vend pune”.

Prorektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof.assoc.Dr Tonin Gjuraj

UET ka bërë një reformë programesh të ofertës akademike, duke e transformuar filozofinë nga ‘homo sapiens’ në ‘homo faber’. ǒdo të thotë kjo filozofi dhe pse ky kalim?

Reforma e programeve që u ndërmor në UET, pikë së pari synon ruajtjen e cilësisë. Me kohë motoja jonë ka qenë: “Cilësia na diferencon”, por më pas menduam që kjo cilësi të ishte në funksion të një tregu të mirëorientuar. ǒdo të thotë kjo? Ne vazhdimisht në shkencë hasemi me pyetjen: “Pse ndodh kështu?” dhe jemi të prirë ta shpjegojmë këtë duke përdorur arsyen, pra ta shpjegojmë teorikisht. Në përgjithësi programet, modulet, kanë pasur një fokus teorik. Është e rëndësishme, por nuk mjafton. Duke studiuar tregun dhe ndërvepruar me të tjerët, menduam që ishte e domosdoshme të lidheshin me tregun e punës dhe me profesionet. Pra të shkojmë nga homo sapiens - nga ky njeri që di dhe parashikon, që përdor arsyen për të shpjeguar shkaqet - në homo faber, një njeri që merr dije dhe u përgjigjet pyetjeve sesi të bëjë diçka. Pra, nëse ne nxisim këtë reformë me programet, realizojmë aspektet aplikative dhe praktike të këtyre programeve. Që do të thotë, se të rinjtë që do të marrin këto dije të kenë një diplomë, e cila për nga tiparet, të jetë ajo që çon drejt një profesioni të caktuar. Kjo filozofi i aftëson të rinjtë drejt një profesioni të thjeshtë, në ciklin e parë trevjeçar, sepse në këtë cikël ata nuk mund të jenë specialistë apo ekspertë. Ideja jonë është shumë e qartë. Të kemi programe thellësisht aplikative, nëpërmjet laboratorëve, nëpërmjet instrumenteve të ndryshme praktike, që të lehtësojmë mundësinë për të gjetur një vend pune. Ne mendojmë se suksesi i një universiteti nuk ka të bëjë me numrin e studentëve që ka, por me numrin e të diplomuarve që nesër janë në tregun e punës.

Civici: UET, bashkë me doktoraturën edhe integrim akademik e shkencor

“Kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Universitetin e Astonit në Birmingam të Anglisë dhe Doktoraturat janë pjesë e këtij bashkëpunimi të ngushtë. Disa profesorë anglezë që vijnë nga Universiteti i Oxford-it, - kryesisht nga sfera shumë delikate, që i mungojnë kërkimit shkencor në Shqipëri dhe doktoraturave përgjithësisht, që kanë të bëjnë me metodat e kërkimit, filozofinë dhe metodologjinë e kërkimit”

Prof.Dr. Adrian Civici, Drejtori i Shkollës Doktorale në UET

Pas disa vitesh si rektori i Universitetit Europian të Tiranës, i jeni futur një projekti të ri sfidues, si drejtimi i Shkollës Doktorale, që njëkohësisht është edhe shkolla e parë doktorale në një universitet privat në vend. Përse hapet kjo shkollë?

Po e filloj me argumentin ‘homo sapiens’ dhe ‘homo faber’. Kjo edhe sa i përket doktoraturave, që deri tani përgjithësisht janë konsideruar si një etapë e tretë kryesisht akademike. Përvoja e fundit në vendet më të zhvilluara, kryesisht në SHBA dhe në Evropën Perëndimore, po tregon gjithnjë e më tepër se një doktoraturë bëhet edhe për t’u bërë ekspert, menaxher, jurist shumë i mirë. Një aftësim në jetën dhe profesionin tënd të përditshëm. Meqenëse jam ekonomist, më shkon shumë për shtat argumenti i përputhjes midis kërkesës dhe ofertës në Shqipëri. Kishim një ofertë të limituar për sa i përket mundësive për të bërë një Doktoraturë dhe një kërkesë gjithnjë e në rritje nga shumë ekspertë, akademikë ose njerëz të të gjitha fushave, që kërkojnë t’i zhvillojnë aftësitë e tyre nëpërmjet kërkimit shkencor, studimeve më të thelluara. Kjo bëri që një masë e madhe njerëzish të kërkojnë të bëjnë Doktoraturën, jo thjesht si elementi i tretë i ciklit të Bolonjës, por si nevojë e jetës së përditshme në avancimin e tyre. Aq më shumë, kur sot faktor i rëndësishëm në zhvillimin e vendit por edhe të individit është inovacioni, dija, njohuritë e thelluara. Doktoratura nuk është thjesht një proces mësimor, është cikli më superior i studimeve të larta, që zgjat tre vjet. Kjo ishte arsyeja pse u hap.

A jeni të gatshëm të përballoni të gjitha kritikat dhe skeptikët lidhur me kapacitetet e universiteteve private në Shqipëri për të ndërtuar programe doktorale? Pse jeni kaq të bindur që pesë vjet nga themelimi të jepni doktoratura në atë nivel që jepen edhe jashtë vendit?

UET nuk erdhi në doktoratura thjesht pse i plotësoi dy ciklet e para dhe duhet të bënte të tretin, por bëri një hop cilësor që garantonte realizimin e doktoraturave. Duhet ta pranojmë që është shumë specifike dhe nuk mund të bëhet thjesht se ke dëshirë, nëse nuk ke të gjithë elementët e nevojshëm. Disa faktorë të rëndësishëm, ne arritëm t’i plotësonim me shumë vendosmëri, më shpejt ndoshta se kolegët tanë. Së pari, një trupë pedagogjike shumë të zgjedhur dhe cilësore. Ne kemi tashmë 40 pedagogë, figura të shquara në fushat e tyre të shkencës, me tituj: Profesor i Associuar, Profesor, Doktor, që bëjnë të mundur drejtimin e doktoraturave dhe i japin një sens Shkollës Doktorale. Së dyti, për ta bërë Doktoraturën të krahasueshme edhe me vendet e tjera dhe për t’i dhënë atë cilësi që duhet, kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Universitetin e Astonit në Birmingam të Anglisë dhe doktoraturat janë pjesë e këtij bashkëpunimi të ngushtë. Disa profesorë anglezë që vijnë nga Universiteti i Oxford-it etj - kryesisht nga sfera shumë delikate, që i mungojnë kërkimit shkencor në Shqipëri dhe doktoraturave përgjithësisht, që kanë të bëjnë me metodat e kërkimit, filozofinë dhe metodologjinë e kërkimit, - do t’i zhvillojnë leksionet e tyre direkt në anglisht me doktorantët tanë.

Një njeri që ka përfunduar dy ciklet e para të studimeve dhe do të bëjë doktoraturën. Pse duhet të vijë në UET dhe të mos shkojë në Angli apo diku tjetër ?

Kjo varet në radhë të parë nga mundësitë dhe së dyti, çfarë kërkon nga Doktoratura.

Kushton më pak te ju?

Natyrisht kushton më pak sesa në Angli. Ajo që ne po përpiqemi duke bërë këtë bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me universitetet angleze por edhe gjermane e të tjera, është të arrijmë një nivel që ngjason dhe ka shumë elementë të doktoraturave në vendet perëndimore. Kjo vjen edhe nga lloji i librave që përdorim, nga pedagogët, programet, por edhe nga mënyra se si është zhvilluar që këta doktorantë mund të botojnë artikuj jashtë Shqipërisë, mund të marrin pjesë në konferenca jashtë Shqipërisë. Pra, bashkë me doktoraturën të marrin një integrim akademik shkencor, me universitetin, me kolegët e tyre në vendet e BE-së apo më gjerë. Duke e parë kështu, na u deshën pesë vjet, megjithëse dëshirën mund ta kishim që në fillim. Vetëm atëherë kur e ndjemë se këto kushte cilësore u plotësuan, ne tentuam dhe e hapëm doktoraturën.

Ne jetojmë në një vend me shumë diell, nuk kemi lidhje shumë me anglo-saksonët, qoftë në sjellje, mënyrën e të menduarit...Si do të funksionojë kjo metodë?

Ne po përpiqemi që, ajo që sot konsiderohet eksperienca më e mirë jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të zhvilluara evropiane, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Francën apo Spanjën, e pranojnë se modeli anglo-sakson dhe kërkimi shkencor, mënyra sesi ata janë të organizuar, janë më të suksesshmit. Për të mos lënë doktoraturat thjesht doktoratura shqiptare, në platformën tonë kërkimore shkencore, jo vetëm të universitetit por në mënyrë të veçantë të doktoraturës, ne preferojmë tema studimi që të jenë sa më krahasuese, duke e vendosur në kontekstin rajonal ballkanik, evropian e më gjerë, në mënyrë që këtë problematikë apo mentalitet të vogël shqiptar dhe në fushën e kërkimit shkencor ta shkrijmë dhe integrojmë gradualisht me hapësira dhe sisteme shumë më të gjera dhe shumë më cilësore sesa ne.

Çili: UET pionier, legjitimon sektorin privat

“Mendoj që UET duhej të meritonte termin ‘pionier’ në hapjen e disa diskutimeve, hapjen e disa shtigjeve, çka ndihmon gjithë sistemin në një stad të ri dhe legjitimon sektorin privat, jo pa pikëpyetje në opinionin publik”.

Henri Çili, gazetar, politolog, një nga themeluesit e Universitetit Europian të Tiranës.

Thuhet se UET-it iu dha licenca e doktoraturave ngaqë ju vetë, Henri Çili keni qenë më pranë qeverisë, qoftë edhe gjatë fushatës së fundit elektorale. Është e vërtetë?

Po t’i ekzaminosh të dhënat, edhe publike, të mirënjohura nga mijëra studentë që kemi në universitet, nga qindra pedagogë që kanë dhënë mësim në UET, ky argument nuk do të bindte askënd. Sepse, janë provat, janë standardet, janë rrethanat, infrastrukturat njerëzore dhe fizike, kërkesa e llogarisë, produkti shkencor, revistat shkencore, bashkëpunimet me jashtë dhe gjithë elementët që i japin UET-it të drejtën të pretendonte, pas rreth dy vitesh përgatitjeje intensive, ciklin e tretë të studimeve. Duhet ta dimë që cikli i tretë – doktoraturat - janë kryesisht studime prestigji dhe jofitimprurëse. Mendoj që UET-i duhej të meritonte termin ‘pionier’ në hapjen e disa diskutimeve, hapjen e disa shtigjeve, çka ndihmon gjithë sistemin në një stad të ri dhe legjitimon sektorin privat, jo pa pikëpyetje në opinionin publik. E legjitimon në skenën publike shqiptare, ku futja në treg e sektorëve të rinj shoqërohet vazhdimisht me skepticizëm. Mendoj që këtij skepticizmi mund t’i përgjigjemi fort mirë me ata mijëra studentë që janë dhe kanë kaluar nëpër auditorët tanë, si dhe me ata qindra pedagogë të jashtëm apo të brendshëm që kanë dhënë mësim në UET- dhe janë diku tek 325 të tillë, që mund t’i dëshmojnë standardet e UET-it.

A mund të themi se UET është sot universiteti i parë dhe i vetëm privat që ka licencuar doktoraturat dhe mund të fillojë këtë cikël?

Jo thjesht kjo. Mund të thuhet se për herë të parë në arsimin e lartë shqiptar, kemi një lloj oferte alternative edhe në raport me ciklin e tretë, që janë doktoraturat, çka është shumë e rëndësishme për dy arsye. E para, sepse kemi një ofertë alternative përtej Universitetit Publik, kemi cilësi më të mirë dhe së dyti, humbet një monopol historik - për mendimin tim, i dëmshëm gjatë këtyre viteve për ciklin e tretë. Është pozitive për të gjithë dhe me këtë u hapet rruga edhe të gjitha universiteteve të tjera.

Por për tani mund të themi që doktoraturat i ka vetëm UET-i...

Dhe disa universitete të tjera janë në aplikim.

Por që nuk është e thënë se do i marrin licencat, deri në dhjetor të themi...

Këtë nuk e dimë, sepse në parim do donim të kishim kolegë të tjerë në këtë fushë, në mënyrë që ky cikël të legjitimohej më mirë në opinionin publik.

Sa është tarifa e studimeve në Doktoraturë?

Ne jemi përpjekur të ruajmë pak a shumë të njëjtën tarifë vjetore që vërtitet diku tek 3000 euro në vit. Ka edhe një grup tjetër specifik, si ata që kanë mbaruar Masterin e nivelit të dytë, Master jashtë vendit, apo shkollën pasuniversitare të dikurshme, të cilët nuk kanë detyrimin të kryejnë vitin e parë teorik, por kanë vetëm dy vite për të shkruar tezën. Pra janë dy grupe që mund të fillojnë në të njëjtën kohë.

Po për studentët që vijnë në “Bachelor”, sa është tarifa e studimeve?

Ka një sistem të diversifikuar ofertash, sipas rasteve.

Kush është më i shtrenjti?

Studimet në Juridik mbeten ende më të kushtueshmet. Ndërkohë që kemi vendosur një politikë promovuese për Shkencat Sociale, sepse janë relativisht më të goditura nga elementët e krizës kudo në botë, jo vetëm këtu. Me rastin e 5-vjetorit të themelimit, kemi promovuar të gjitha degët e Shkencave Sociale në ciklin “Bachelor” dhe Master. Për ta kemi një sistem shumë më të favorshëm tarifash.

UET ka bërë një reformë programesh të ofertës akademike, duke e transformuar filozofinë nga ‘homo sapiens’ në ‘homo faber’. ǒdo të thotë kjo filozofi dhe pse ky kalim?

Universitetet sot në të gjithë botën, që nga koha e masivizimit të tyre, kanë një fatkeqësi. Janë të detyruar të strehojnë brenda tyre edhe shkencën, edhe profesionin. Mirëpo është dhënë një zgjidhje për këtë dilemë. Shkohet drejt profesionit duke përdorur instrumentet shkencore në funksion të profesionalizimit. Për të bërë një ilustrim fare teorik: në vend të themi sociolog, mund të themi sondazhier i opinionit publik, në vend të themi Shkenca komunikimi, themi Marrëdhënie publike, e kështu me radhë...Është një trend botëror dhe jemi munduar që në këtë 5- vjetor, gjatë reformës së programeve ta kapim këtë trend, ta ilustrojmë dhe praktikisht t’i përgatisim studentët tanë në një distancë sa më të shkurtër drejt një profesioni në shoqëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›