E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sindikatat” shqiptare dhe loja me përfaqësimin në Këshillin Kombëtar të Punës

BSPSH dhe KSSH edhe pse në dukje organizata sindikaliste të formuara me filozofi rrymash të ndryshme duket se kanë bashkuar forcat e tyre për t’i bërë presion qeverisë shqiptare që të pranojë monopolin e tyre në tregun sindikalist, për përfaqësim të barabartë me 5 anëtarë brenda Këshillit Kombëtar të Punës. Edhe pse me histori krejt të ndryshme në fillimet e lëvizjeve sindikaslite, të dyja organizatat çuditërisht kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke zgjuar sërish polemikat dhe akuzat mediatike për implikime në afera, akuza të ringjallura së fundmi edhe për shkak të ndryshimit të ligjit, i cili ndërhyu për t’i dhënë fund tjetërsimit dhe rrëmujës me pronat e lëna në administrim të këtyre grupeve të mëdha sindikale. Vendimi i atëhershëm i presidentit Berisha, duket se nga organizatat sindikale të sipërpërmendura u interpretua si një lejekalimi për përfitime në pronat publike, duke i trajtuar ato krejt si plaçkë lufte, a thua se shqiptarët dhe rinia u ngritën në protesta për përmbysjen e sistemit që BSPSH dhe KSSH të përfitonin prona e pasuri e të mos i jepnin kujt llogari. Por sot e gjithë ditën, gjendjen e mjerueshme të sindikalizmit shqiptar vazhdojnë ta inkurajojnë skemat që përpiqen të mbajnë në këmbë të dy sindikatat kryesore, në mënyrë që të mos u cenohet përfaqësimi i tyre në KKP. Deklarata e sindikalistit Fiqiri Xibri për fillimin e protestave masive nga mesi i janarit në fakt është një presion i drejtpërdrejtë ndaj qeverisë Berisha në mënyrë që të ruhen privilegjet aktuale në konfigurimin e KKP-së. Të dyja sindikatat kryesore në Shqipëri e kanë monopolizuar anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të Punës duke patur aty nga 5 përfaqësues. Por nga burime të besueshme merret vesh se qeveria ka hedhur idenë e një përfaqësimi më të gjerë sindikalist në përfaqësimin në KKP, kryesisht të degëve të tjera të rëndësishme sindikaliste siç është fjala vjen ajo e naftës. Por për të realizuar përfaqësimin e tyre në këshill duhet që dy sindikatat kryesore të përfaqësohen me më pak aktorë të vetët në këtë organizëm, çka do të thoshte humbje e monopolit dhe e privilegjeve që rrjedhin nga anëtarësia në KKP. Një formulë e propozuar ka qenë zbritja e përfaqësimit të BSPSH-së dhe KSSH me nga një anëtar dhe dy vendet e lira t’u jepeshin disa përfaqësuesve të rinj sindikalistë që përfaqësojnë edhe degë të rëndësishme industriale të vendit. Negociatat në fakt nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, por duket se qeveria është e vendosur që të ecë në rrugën e pakësimit të përfaqësimit të dy sindikatave kryesore. Mosmarrëveshjet mes vetë sindikalistëve vijojnë të mbeten të thella dhe thuajse çdo ditë si në Kryeministri ashtu edhe në ministritë përgjegjëse mbërrijnë shkresa apo peticione të firmosuar nga dhjetëra sindikata më pak të njohura që kërkojnë përfaqësim në organizmin kombëtar siç është Këshilli Kombëtar i Punës. Këto peticione shpesh shoqërohen edhe me akuza ndaj drejtuesve të dy grupimeve të mëdha sindikaliste për abuzime e shpërdorime të ndryshme. I gjithë ky konfiguracion rrëmujë sjell detyrimin për disiplinimin e zhvillimeve sindikaliste në Shqipëri. Afërmendsh se qeveria ka detyrimin e mbarëvajtjes së parametrave qoftë të ekuilibrit qoftë të cilësisë dhe nivelit sindikalist në Shqipëri. S’mund të tolerohet tashmë një monopol sindikalist që po vjen për shkak të bashkimit të paprinciptë të BSPSH-së dhe KSSH-së (në dukje me përfaqësim të ndryshëm apo të kundërt), veç për shkak të kompromiseve dypalëshe në kurriz të sindikalizmit shqiptar. Thirrjet për gjoja protesta për gjoja arsye reale të sindikalizmit janë këmbanat që na kërkojnë të ndërgjegjësohemi e të shohim se edhe krerët e sindikatave në vendin tonë duhet t’u nënshtrohen rregullave të rotacionit, duke përfshirë së pari hapjen ndaj konkurrencës dhe mosshndërrimin e tyre në struktura monarkike të kryetarëve....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›