Ricikluesit shqiptarë: Po asfiksohemi nga mungesa e lëndëve të para. Shpresojmë që Braçe të mos flasë në emër të PS
Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp, ka deklaruar se ata mbështesin investimet e huaja në fushën e riciklimit në fund. Ata thonë se kjo industri në Shqipëri po asfiksohet nga mungesa e lëndëve të para. Edhe pse shumëkush në Shqipëri ankohet se plehrat dhe mbeturinat gjenden ngado, ricikluesit thonë se ato nuk mjaftojnë për industrinë e tyre. Në deklaratën e tyre ata thonë se shpresojnë se qëndrimet e Erion Braçes për këtë çështje të jenë personale.
Industria e riciklimit po asfiksohet nga mungesa e lëndëve të para për arsye se ato nuk gjenden mjaftueshëm brenda vendit për shkak të mungesës së ndarjes në burim te mbetjeve. Shoqata e ricikluesve është në mbështetje të plotë të investimeve të huaja në fushën e riciklimit në vendin tonë. Shpresojmë që prononcimi i djeshëm i deputetit të Partisë Socialiste, Erion Brace, të jetë opinioni i tij personal dhe jo qëndrim politik i PS. Ne kërkojmë që klasa jonë politike e çdo krahu qoftë ajo, të inkurajojë investimet e huaja në Shqipëri dhe të konsiderojë industrinë e riciklimit si prioritare dhe pasuri të çmuar kombëtare, tha Bardhyl Balteza, kryetar i kësaj shoqate.
Shoqata e Ricikluesve te Shqipërisë kërkon me forcë nga qeverisja qendrore dhe pushteti vendor të aplikojë sa më parë menaxhimin e integruar të mbetjeve në vendin tonë sipas ligjit te miratuar për këtë çështje, gjë që do të sillte përfitime mjedisore dhe sigurim të lëndëve të para për këtë industri.
Shoqata e ricikluesve ka parim të rëndësishëm transparencën maksimale në aktivitetin e saj dhe fton të gjithë aktorët e interesuar politikanët, politikbërësit, shoqërinë civile, ambientalistët dhe këdo qe ka dëshirë, të vijnë të na vizitojnë dhe të njihen nga afër me aktivitetin tonë.