Rick Perry kryeson garën mes kandidatëve republikanë
Guvernatori i Teksasit, Rick Perry shpalli kohët e fundit kandidaturën për emërimin e Partisë Republikane në garën presidenciale të vitit 2012 dhe menjëherë ka gëzuar mbështetjen më të madhe në anketat e opinionit.
Guvernatori Perry është popullor mes shumë konservatorëve, por ai mund të mos gëzojë mbështetje aq të madhe mes votuesve të moderuar dhe të pavarur, nëse fiton emërimin e partisë së tij dhe përballet me Presidentin Barack Obama, në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2012.
Elementi kryesor tërheqës i Perryt për votuesit është se gjatë dekadës së fundit, Teksasi ka krijuar më shumë vende pune se çdo shtet tjetër.
Dhe në debatet me rivalët e tij republikanë, ai premtoi të ndjekë shembullin e shtetit të tij, për t’i dhënë shtytje zhvillimit ekonomik në gjithë vendin.
Por rivalët e tij, veçanërisht ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney, vënë në pikëpyetje kritikat e Perryt për programin federal të sigurimeve shoqërore për të moshuarit.
Kritikët thonë se qëndrimi konservator i guvernatorit Perry lidhur me sigurimet shoqërore dhe çështje të tjera mund ta ndihmojë atë të fitojë emërimin e Partisë Republikane, por në të njëjtën kohë dëmton mbështetjen mes votuesve të moderuar, për të cilët ai do të ketë nevojë që të fitojë zgjedhjet presidenciale.