Rick Santorum i jep fund fushatës presidenciale

I rrethuar nga anëtarët e familjes, Rick Santorum u tha gazetarëve në Getisburg të Pensilvanisë se pas shumë diskutimeve dhe reflektimit në ditët e fundit, ai ka vendosur t’i japë fund përpjekjeve të tij për të marrë emërimin e Partisë Republikane për president.
“Gjatë fundjavës kemi vendosur se kjo garë presidenciale për ne ka përfunduar dhe ne do të pezullojmë fushatën tonë duke filluar sot, por ne do të vazhdojmë luftën për vendin dhe platformën tonë”.
Pas këtij lajmi, kryesuesi i garës së republikanëve, Mitt Romney, lëshoi një deklaratë me shkrim, duke e quajtur Santorumin “një konkurrent të aftë dhe të denjë” dhe e përgëzoi atë për fushatën që ai ka zhvilluar.
Rick Santorum doli në skenën kombëtare në fillim të janarit pasi fitores së zgjedhjeve paraprake të Partisë Republikane në Iowa. Ai fitoi edhe në disa shtete tjera jugore, por nuk arriti ta kapërcejë epërsinë e madh të Romneyt për nga numri i delegatëve të fituar, mbledhjen e fondeve dhe organizimin e fushatës.
Santorum nuk i dha mbështetjen Romneyt, por ai u zotua se do të punojë për të mos lejuar rizgjedhjen e Presidentit Obama për një mandat të dytë.
Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich dhe kongresisti nga Teksasi, Ron Paul, janë ende në garë së bashku me Romneyn.