Jonida Maliqi, në pritje të bebit të parë
“Bashkë me Gentin, jemi shumë të lumtur”!
Po përjeton momentet më të bukura të jetës së një femre, atë të pritjes së fëmijës së parë. Gëzim që ka ardhur në kohën e duhur, dhe që ka mbushur zemrën e saj me tjetër emocion dhe adrenalinë. Këngëtarja Jonida Maliqi është shtatzënë. Lajmi që qarkullonte mes miqve të artistes është konfirmuar nga vetë këngëtarja, në këtë prononcim për gazetën “Mapo”. Sapo ka kaluar muajin e dytë të shtatzënisë dhe tregon se "bashkë me Gentin jemi të dy shumë të lumtur. Për ne nuk ka rëndësi se çfarë do të jetë fëmija, e rëndësishme është të jetë i shëndetshëm". Sigurisht që tashmë fëmija është kryefjala e bisedave të çiftit, megjithatë këngëtarja ka vendosur të realizojë dhe një produksion, para se barku i saj të jetë i dukshëm, dhe të nisë periudhën e pushimit për t'iu përkushtuar shtatzënisë e më tej ardhjes në jetë të bebit. Pas baladës “Një orë më shumë”, që transmetohet në televizionet muzikore, Jonida këto ditë do të realizojë edhe një këngë ritmike, që do të na shoqërojë gjatë verës. Kënga do të nisë transmetimin këtë fund qershori, ndërsa sot u sjellim edhe një foto të fundit të këngëtares gjatë pjesëmarrjes së saj në finale e Festivalit “Top Fest”. Edhe këtë herë, ajo, ashtu si në çdo dalje televizive, bën diferencë. Jonida është shfaqur me një fustan ngjyrë shegë mjaft modern, shtoi kësaj aksesorët e florinjtë dhe përfundimi; notën maksimale edhe këtë herë!