E Diel, 1 Nëntor 2026

Riformatimi i qeverisë serbe i rëndit bisedimet me Kosovën në axhendën prioritare

10-09-2013 / Gazeta 55

Pas disa muajsh shqyrtimesh brenda aleancës në pushtet dhe një debati të nxehtë treditor në parlament, qeveria e riorganizuar e Serbisë pritet kryesisht të përshpejtojë integrimin evropian të vendit dhe të sjellë rimëkëmbjen e ekonomisë në vështirësi. Epilogu i riorganizimit të qeverisë është se tani ka një parti më pak – Rajonet e Bashkuara të Serbisë¸ por gjithashtu ka 11 anëtarë të rinj të kabinetit nga të cilët deri në gjashtë janë figura jopartiake, gjë që është një ndryshim nga qeveritë serbe të mëparshme. Qeveria kryesohet nga Partia Progresive Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë. Pritshmëritë e analistëve në lidhje me qeverinë janë të përziera – ndërsa njëri thotë se asnjë ndryshim i konsiderueshëm nuk mund të pritet në krahasim me përbërjen e qeverisë së mëparshme, të tjerë pretendojnë se kjo qeveri mund të jetë e suksesshme në integrimin evropian dhe në sferën ekonomike. Qeveria e riorganizuar ka 28 ministri e 22 anëtarë, ndryshe nga e mëparshmja që kishte një ministri më pak e tre anëtarë më pak dhe ishte emëruar me mbështetjen e 134 nga 250 anëtarët e parlamentit. Kryeministri Ivica Daçiç renditi përshpejtimin e integrimit evropian, rimëkëmbjen ekonomike, shtypjen e korrupsionit dhe të krimeve dhe vazhdimin e bisedimeve me Kosovën, që Beogradi nuk e njeh si një shtet të pavarur, si përparësi të qeverisë së tij. "Sot, Serbia ka nevojë për gjithçka dhe ka nevojë për këtë tani", tha Daçiç, duke shtuar se autoritetet përmes dëshirës së tyre për të përshpejtuar ndryshimin kanë zgjedhur të riorganizojnë qeverinë vetëm një vit pas formimit të saj. Njerëz veçanërisht tërheqës për publikun janë ministri i ri i financave, Llazar Kërstiç i arsimuar në Universitetin e Jeillit, që deri së fundmi ka punuar në firmën e këshillimit të administrimit botëror McKinsey & Co.; Ministri i Kulturës Ivan Tasovaç, që është kreu i Orkestrës Filarmonike të Beogradit; dhe Ministri i Sporteve Vanja Udoviçiç, që vetëm një muaj më parë ishte në ekipin e vaterpolos të Serbisë në Kampionatin Evropian. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kaçin tha se udhëheqësit serbë kanë dhënë një shembull pozitiv me riorganizimin e përgjithshëm sepse "Serbia tani ka mundësinë për t’u bërë përfundimisht një motor i integrimit të rajonit me BE-në." "Pres që qeveria e riorganizuar e kryeministrit Daçiç të trajtojë sfidat ekonomike me energji shtese dhe me synimin për të hapur kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit të Serbisë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur", tha Kaçin. Megjithatë, kreu i OJQ-së Transparency Serbia Vladimir Goati tha për SETimes se politika e qeverisë nuk do t’u nënshtrohet ndryshimeve të mëdha dhe së qëllimi i vërtetë i riorganizimit ishte të hiqte Rajonet e Bashkuara nga qeveria dhe të ndante departamentet e saj. "Nuk besoj se ndonjë gjë do të ndryshojë përsa i përket politikës, thjesht do të udhëhiqet nga njerëz të tjerë tani", tha Goati. Profesori i Universitetit të Beogradit Dezhan Vuk Stankoviç tha se riorganizimi hap rrugën për ndryshimin e politikës ekonomike që deri tani është udhëhequr kryesisht nga personeli i Rajoneve të Bashkuara. Megjithatë, siç tha ai për SETimes, fillimisht duhet të krijohen kushtet për ndryshim. "Ndryshimet duhet të përfshijnë një politikë të shtrëngimit e të arsyetimit të sektorit publik", tha Stankoviç, duke shtuar se Beogradi nuk mund të shpresojë t’i afrohet më pranë BE-së pa një marrëveshje me Kosovën dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike. Ish-ambasadori serb në Francë Predrag Simiç tha se stabilizimi ekonomik duhet të jetë përparësia më e lartë e qeverisë së re dhe se fokusi tani do të jetë në nxitjen e punësimit. "Shpresat janë të larta, problemet janë të mëdha dhe qëndresa do të jetë e fortë. Mendoj se kjo qeveri do të ketë një nivel të lartë që duhet të arrijë", tha Simiç.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›