Basha: Qeveria “Berisha” histori e pakrahasueshme suksesi në historinë e vendit

Kreu i PD, Lulzim Basha mbledh grupin parlamentar demokrat: Ne, kontribuues të integrimit, s’do imitojmë opozitën destruktive të Edi Ramës
Mesazh qeverisë së re: Kush tërhiqet nga premtimet, përballet me pasojat
Lulzim Basha drejtoi dje për herë të parë grupin parlamentar demokrat, që prej zgjedhjes së tij në krye të PD. Basha e nisi mbledhjen me një dedikim për qeverisjen 8 vjeçare dhe kryeministrin Berisha. Sipas tij, qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. Ndërkaq, Basha i deklaroi konsensusin e plotë të PD qytetarëve shqiptarë, konsensusin pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa gjithashtu premtoi publikisht se opozita e tij do jetë ndryshe nga ajo e Edi Ramës
Në vigjilje të çeljes së legjislaturës së re parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar të PD. Basha e nisi fjalën e tij para deputetëve demokratë, duke shprehur mirënjohjen e thellë për ish kryetarin e PD, Sali Berisha për kontributin e tij të shquar në qeverisjen 8 vjeçare të vendit. Kreu i PD theksoi se “askush nuk mund të harrojë se qeveria “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe evropiane”. “E ndiej si një obligim timin, t’ju shpreh sot, me rastin e paraqitjes së dorëheqjes së qeverisë Berisha, falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë, në emër të Partisë Demokratike dhe gjithë anëtarësisë së saj, për kontributin tuaj të shquar në qeverisjen e vendit, në periudhën 2005-2013. Jam i bindur se me këtë falënderim dhe mirënjohje tonën, bashkohen sot të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, të gjithë mbështetësit e saj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë për arritjet historike të qeverisë “Berisha”. Por besoj se sot, falë një kulture të re demokratike që po përhapet çdo ditë në Shqipëri, mirënjohjes dhe falënderimeve tona u bashkohen edhe ata që për arsye të ndryshme, e panë të arsyeshme t’i jepnin një mundësi alternativës së kundërshtarëve tanë. Askush nuk mund të harrojë se qeveria “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji, shkolla, ujësjellës dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në moshën dixhitale, që u përkushtua si kurrë më parë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe njohjes së saj, që përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që nënshkroi MSA, që e zbatoi atë dhe reformat shoqëruese, që aplikoi për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe që meritoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për marrjen e statusit kandidat, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans – Adriatik”- u shpreh Basha. Ai vijoi se qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. “Qeveria “Berisha” është e do të mbetet gjithashtu një vlerë dhe një trashëgimi shumë e çmuar e Partisë Demokratike”- theksoi kreu i PD. Opozita e Partisë Demokratike, tha Basha do jetë një opozitë e fortë ballore dhe moderne dhe se do të përmbushë të gjithë detyrat e saj ligjore dhe kushtetuese. “Ata që kanë ardhur sot në pushtet dhe qeveritë demokratike që do të vijnë nesër do të duhet t’i bëjnë llogaritë me bilancin e saj. Unë jam krenar që kam qenë për gjashtë vjet me radhë, pjesë e kësaj qeverie. Arritjet e saj janë sot pjesë e përgjegjësisë sime, pjesë e përgjegjësisë së mbarë Partisë Demokratike, për një fillim të ri drejt një suksesi të ri. Në këtë sfidë të rëndësishme, ju dhe gjithë zyrtarët e tjerë të lartë të Partisë Demokratike që përmbushën detyra të rëndësishme publike dhe shtetërore këto tetë vjet do të jenë pa dyshim pararoja e një opozite të fortë, ballore dhe moderne, në radhë të parë në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit. Ne vijmë nga një përvojë e çmuar e qeverisjes, që na ka mësuar shumë të gjithëve. Ne i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne jemi demokratë. Ne i përkulemi pa apelim, votës së lirë të popullit. Ne e dimë se rrotacioni i pushtetit është një dhunti dhe atribut jetëdhënës i demokracisë. Për këto arsye dhe për faktin tjetër të gjithëpranuar, se zgjedhjet e lira janë mjeti për ta lënë dhe jo vetëm për ta marrë pushtetin, ne e kemi pranuar dhe përjetuar si demokratë këtë zhvillim në jetën e vendit.
Ne shpalosim legjitimisht meritat e qeverisë sonë, në përmbushjen e detyrave që ka qeveria, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve më të mira që ka njohur vendi. Ne shpalosim legjitimisht vlerat e kalimit të rregullt e të përgjegjshëm të pushtetit. Ky është Grupi i ri Parlamentar i Partisë Demokratike. Bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Unë besoj se kjo fjalë thotë shumë, për çdo shqiptar. Ajo ka një tingëllim të veçantë, epik dhe heroik do të thosha, në historinë e shtetit shqiptar. Në periudha të caktuara të kësaj historie, opozita parlamentare ka qenë kultura dhe klasi i Shqipërisë. Me ardhjen e komunizmit, opozita parlamentare u bë simbol i martirizimit dhe persekutimit më të egër. Me hapjen e vendit, pas vitit 1991, opozita parlamentare ka qenë në momentet më të mira, simbol i shpresës dhe rojtare e pazëvendësueshme e demokracisë. Gjithë kjo histori është sot pjesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë, për misionin e ri që po marrim si opozitë, mision i cili në shoqërinë e hapur, është po aq i lartë, i rëndësishëm dhe jetik, sa edhe qeverisja. Ne jemi krenarë, sepse jemi partia që e ka themeluar opozitën parlamentare në Shqipërinë postkomuniste, pluraliste”- theksoi kreu i PD. Basha premtoi se PD aprovon konsensusin e saj pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. “Ne kujtojmë sot, se Partia Demokratike lindi si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Në koherencë me këtë vokacion, që është adn-ja jonë politike, ne nuk do të bllokojmë siç mjerisht dhe botërisht bëri Edi Rama e të tijët, me bllokimin e statusit. Përkundrazi, ne do të jemi protagonistë, për të gjithë çëshjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti e duke vazhduar me tërë procesin e anëtarësimit, me titull të plotë të vendit në BE. Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot, konsensusin tonë pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. Ne njoftojmë gjithashtu bashkëpunim konstant dhe mbështetje nga deputetët tanë, në komisionet përkatëse dhe në aulën e Kuvendit, për të gjitha obligimet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për politikat e paqes në rajon, për bashkëpunimin e veçantë, në dritën e politikave të reja integruese me Kosovën, etj- deklaroi ai.
Kush tërhiqet nga premtimet, përballet me pasojat
Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përcolli një mesazh kryetarit të PS, Edi Rama se nëse tërhiqet nga premtimet, do të përballet me pasojat. “Sot, në një Shqipëri të zhvilluar dhe të përgatitur për shpërthime të reja zhvillimore, falë qeverisjes sonë tetëvjeçare dhe reformave liberale në veprim, ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja evropiane. Ne duam ta njoftojmë sot këtë shumicë dhe qeverinë e saj, dhe ky është një lajm i mirë, në mos për ta, për publikun shqiptar, se duke filluar nga sot e deri në ditën e fundit të Kuvendit që ka dale nga zgjedhjet e 23 qershorit, ata do të kenë përballë grupin parlamentar të Partisë Demokratike; do të kenë përballë një opozitë të fortë, moderne; profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit; kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë; verifikuese e rreptë e premtimeve të saj; kritikuese e të metave dhe gabimeve të saj; denoncuese e korrupsionit; abuzimeve dhe shkeljeve eventuale të saj; mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend; një opozitë propozuese dhe shpresëdhënëse që do të avancojë vazhdimisht alternativën e saj të qendrës dhe qendrës së djathtë”- tha Basha. “Një prioritet i grupit tonë do të jetë monitorimi ditë për ditë i premtimeve që shumica e re u ka bërë zgjedhësve, kundrejt votës që u ka kërkuar. Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Këtë e konsiderojmë jetike për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve si dhe për kulturën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që duhet të kultivojmë në raportet e politikës me publikun. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat”- deklaroi kreu i PD.
Përballë kemi një opozitë që ka vjedhur e blerë vota
Kreu i PD, Lulzim Basha akuzoi sërish Partinë Socialiste se ka blerë votat, për të tjetërsuar rezultate. “E gjithë kjo nuk na pengon aspak, të shohim drejt në sy, sot dhe në ditët në vijim, parregullsitë dhe interferimet antiligjore të ish –opozitës, në procesin ligjor. Për herë të parë, kemi parë një opozitë që ka vjedhur e blerë vota, për të tjetërsuar rezultate. E gjithë kjo nuk do të na pengojë gjithashtu, të shohim me realizëm, në funksion të reflektimeve pozitive dhe korrigjimeve të domosdoshme, defektet, të metat dhe gabimet tona, shkaqet subjektive të rezultatit, përtej konsumimit objektiv prej pushtetit dhe përtej deformimeve nga vjedhja dhe blerja e votës prej kundërshtarëve tanë. Së bashku do t’i bëjmë këto detyra. Me gjithë demokratët dhe me ata që po vijnë e do të duan të vijnë në partinë tonë të madhe. Unë kam kënaqësinë, t’ju uroj sot të gjithëve mirëseardhjen në selinë e re, prej nga do të nisë sfida jonë e re”.