Seanca u çel nga deputeti më i vjetër në moshë, Namik Dokle

Fokus/Nis për herë të parë pa bojkot seanca I, Legjislaturës së VIII-të
Kuvendi i ri i Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, nisi dje pasdite mbledhjen e tij të parë, që shënon dhe hapjen zyrtare të punimeve të legjislaturës së VIII-të parlamentare. Dita e djeshme shënoi konstituimin e trupës së re parlamentare prej 140 anëtarësh, të cilët do të nisin punën vetëm pas verifikimit të mandateve. Deputetët i janë drejtuar Kuvendit rreth orës 17:30, ndërkohë që përfaqësuesit e gardës së republikës ishin vendosur në derën hyrëse të Kuvendit. Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Seanca ashtu siç ishte paralajmëruar u çel nga deputeti më i vjetër në moshë, Namik Dokle. “Më nderin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjecare, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së VIII- të kuvendit të Shqipërisë”, më këto fjalë të deputetit Namik Dokle u çel seanca e parë e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. Dokle, në fjalimi ne tij të shkurtër nuk harroi të vinte në dukje nisjen e seancës pa bojkot nga palët teksa u bëri apel grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe mirëkuptim në respekt të votës së popullit. “Kolegë mirëserdhët dhe uroj të jenë në lartësinë e votës që na ngarkoi vota e popullit. Kjo legjislaturë është e para që nis pa bojkot. Populli na bëri thirrjen e madhërishme të Nënë Terezës : ....aty ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është ndarja të sjellë bashkim... Uroj të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të duetet duke mos harruar që ajo kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë-opozitë”, u shpreh Dokle. Drejtuesi i seancës uroi dhe deputetët të cilët ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit. Ndërkohë, gjatë seancës kamerat fokusuan në sallë dhe ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha, i cili refuzoi drejtimin e seancës plenare. Kryeministri në ardhje , Edi Rama mbërriti në sallën e Kuvendit të Shqipërisë rreth orës 18:00. Rama ulet për herë të parë në sallën e Kuvendit si deputet, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku fitoi i pari në listën e PS-së në Qarkun e Vlorës. Po ashtu në kuvend ishin ulur ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë si dhe përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare do të ndjekin nga salla çeljen e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e rinj po mbërrijnë në mjediset e selisë së parlamentit shqiptar dhe bashkë me ta dhe zyrtarë të lartë të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik, të komuniteteve fetare etj. Kjo mbledhje e parë e deputetëve ishte më shumë ceremoniale, sepse vendimi I vetëm ishte ngritja e komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit të ri. Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Dhe pas verifikimit të mandateve pritet të bëhet betimi I deputetëve. Ashtu siç dihet bazuar në marrëveshjen PS-LSI, kryetar i Kuvendit do të jetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në Kuvendin e ri, aleanca e majtë ka 83 deputetë, ndërsa aleanca e djathtë 57 deputetë. Ndër 140 deputetët e kësaj legjislature, 55 ulen për herë të parë.