E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riformatizimi i LDK’së

Përfshirja e Bujar Bukoshit dhe Lutfi Hairit në Qeverinë e Kosovës, do ta sjellë LDK’në në dilemë për gjuhën e saj të ardhme politike në zgjedhjet e reja parlamentare.

Duke u shndërruar nga Kritikues të Thaçit në Ministra të Thaçit, ata i dhanë fund qëndrimit të dyfishtë të kësaj partie, si LDK qeveritare dhe si LDK opozitare.

Analistët politikë mendojnë se kjo parti tashmë vullnetarisht pranon se është pjesë e koalicionit me PDK’në, për dallim nga qëndrimet në fushatën elektorale që ishin të fokusuara në akuza.

Analisti Armand Shkullaku mendon ajo ishte loja e fundit e LDK’së.

“Zgjedhjet lokale ishin lëvizja e fundit që bëri LDK. Me lëvizjet në Qeveri, asaj i është hequr çdo mundësi që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të bëjë rolin e opozitës. Do të ishte naive dhe qesharake të mendoje se LDK do të bëjë prapë një lojë, sepse as fëmijët e vegjël nuk do ta besonin”, thotë Shkulllaku, për Express.

Kjo mënyrë e të bërit politikë, sipas tij, do t’i kushtojë LDK’së.

“Tani, ajo që parashikoj është se në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një koalicion parazgjedhor PDK-LDK që do të konkurrojnë së bashku”.

Bujar Bukoshi, pasi ka marrë detyrën e Ministrit, ka thënë se kritikat e përmendura në fushatë i takojnë historisë, ndërsa Lutfi Haziri ka pohuar se do të vazhdojë edhe më tutje me kritika.

“Ato pasionet elektorale janë të tejkaluara dhe tash duhet t’i dalim zot vendit dhe qeverisjes së vendit”, është shprehur Bukoshi.

“Kritika do të mbetet pjesë e punës, përderisa nuk arrihet misioni politik i LDK-së”, ka deklaruar Haziri.

Analistët mendojnë se lëvizja e fundit, e hyrjen së Bukoshit dhe Hazirit në Qeverinë Thaçi, i nxjerr edhe armën e fundit që LDK kishe dhe e luajti në fushatën e fundit elektorale.

Bashkë me elemente të tjera, ka rrezik t’i sjellë asaj rënien.

“Përfshirja në Qeveri qysh në vitin 2007, roli i dyshimtë i Kryetarit të saj të ngrirë që njëkohësisht është President i Republikës, aleanca me PDK’në më shumë për të përfituar nga qeverisja se sa për të qeverisur, dhe shumë elementë tjerë, janë ato që do të ndikojnë në uljen e mundshme të LDK’së”, thotë Armand Shkullaku.

Për lojën e dyfishtë të LDK’së, të pozitës dhe opozitës, opinioni ishte alarmuar gjatë fushatës së fundit zgjedhore.

“Ajo strategji politike e LDK’së mendoj se është e gabuar dhe nuk sjell rezultate pozitive. Kjo tashmë u pa se u riformatizua LDK e jo Qeveria. Tashmë shihet se LDK po identifikohet me qeverisjen e vendit, dhe kjo është gjëja më normale që duhet të kishim pritur”, thotë analisti Mufail Limani.

Ajo çka mbetet të pritet në periudhën në vijim deri në zgjedhjet e ardhshme, sipas Limanit, është se si do ta presë Bukoshin dhe Hazirin publiku në kabinetin qeveritar të Hashim Thaçit.

“Nuk shoh asgjë të keqe politikisht në këtë rast. Por ajo çka mund të konkludojmë tanimë është se radikalizmi i fjalorit politik nuk shpaguhet”.

Dardan Gashi, i nominuari i LDK’së për Zëvendësministër të Integrimeve, po ashtu ishte kritikues i Qeverisë Thaçi, në debatet e fushatës.

Tani, ai është optimist se Qeveria e riformatizuar “Thaçi 2” do të jetë më e suksesshme.

“Nëse partnerët e koalicionit qeverisës mendojnë se duhet të vazhdojnë të qeverisin së bashku edhe në vitet e ardhshme, duhet të punojnë shumë këto dy vite qeverisje që kanë mbetur, për të bindur elektoratin e tyre se kanë punuar mirë”, thotë Gashi, për Express.

Duke folur për fushatën e fundit të LDK’së në të cilën zyrtarët e lartë të saj e kanë kritikuar Qeverinë Thaçi dhe pjesëmarrjen e LDK’së në këtë Qeveri, ai deklaron se toni i asaj fushate nuk ka qenë për ta rrëzuar Qeverinë Thaçi.

“Në fushatën e kaluar është kërkuar kjo që tani ka ndodhur. Kërkesa ka qenë që të ndërrohet pozita e LDK’së në Qeveri. Të ndërrohen Ministrat jofunksionalë. Këto kanë qenë ato të cilat tashmë kanë ndodhur me riformatizimin e Qeverisë”.

Por, me çfarë kursi do të luajë tash LDK, pas arritjes së qëllimeve, për ndërrimin e rolit të saj në Qeverinë aktuale?

“Nëse dështon edhe tani, që unë nuk besoj që dështon, atëherë do të ketë zëra edhe në LDK edhe në PDK që do të jenë kundër qeverisë me këtë koalicion. Por, unë jam i bindur se do të funksionojë”, shprehet Dardan Gashi.

Përfshirja e Bujar Bukoshit dhe Lutfi Hazirit në Qeverinë Thaçi nuk i ka shuar të gjithë zërat “opozitarë” brenda LDK’së.

Astrit Haraqija, anëtar i Kryesisë, tha të dielën për Express se përfshirja e Bukoshit dhe Hazirit në këtë Qeveri është një sakrificë e radhës për LDK’në.

“Ata janë dy figura që kanë kontribuuar brenda LDK’së dhe kanë sakrifikuar me këtë rast për një qeverisje më të mirë dhe për shkak të shtetit të Kosovës. Pas luftës, fatkeqësisht LDK’ja gjithmonë e ka shkelë vetveten për hir të shtetit”, thotë Haraqija.

Për gjuhën dhe mënyrën se si LDK do të veprojë tash e tutje, ai thotë se do të shihet pas procesit zgjedhor brenda LDK’së që pritet të fillojë në verën e këtij viti.

Haraqija mendon se kurrë LDK nuk do të pranojë të hyjë në koalicion parazgjedhor me PDK’në për zgjedhjet parlamentare.

“Unë mendoj se PDK’ja duhet të bëhet bashkë me AAK’në, e ne si LDK me dalë veç me LDD’në dhe partitë tjera që i kemi afër vetes. Neve nuk na konvenon as PDK’ja e as AAK’ja”, ka thënë Haraqija.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›