E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kërkon 7 karrige zv/ministrash

Lëvizja Socialiste për Integrim plotëson konturet e përfaqësimit të saj në qeveri edhe në rang zv/ministrash. Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje në selinë e Këshillit të Ministrave numrin dy të qeverisë së ardhshme, Ilir Meta. Kreu i LSI-së nuk ka shkuar në zyrën e tij të re, por në atë të Kryeministrit, për të diskutuar mbi emrat konkretë me të cilët LSI do të përfaqësohet në rang zv/ministrash.

Takimi

LSI pretendon 7 zv/ministra në kabinetin e ri. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka dorëzuar dje kryetarit të PD-së, Sali Berisha, emrat që strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë përzgjedhur për karriget e zv/ministrave. Edmond Haxhinasto, Sokol Dervishi, Viron Bezhani, Leonard Beqiraj, Edmond Panariti, Filloreta Kodra dhe Sokol Axhemi mësohet se janë emrat që priten të ulen në karrigen e zv/ministrit nën siglën e LSI-së. Pas mbylljes së negociatave me të gjithë aleatët dhe pas konstituivit të qeverisë, atëherë do të nisë edhe marshi i dytë për emërimin e zv/ministrave, të cilët sipas Kushtetutës emërohen nga Kryeministri, pa pasur nevojën për pëlqimin nga kreu i shtetit. Mesditën e djeshme, rreth orës 12:48, Ilir Meta hyn në Kryeministri për të qëndruar vetëm 30 minuta, pasi negociatat për zv/ministrat do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Nga bashkëpunimi PD-LSI, kjo e fundit siguroi tre portofola ministrorë të rëndësishëm dhe poltronin e numrit dy të qeverisë. Pavarësisht kërkesave të LSI-së dhe gatishmërisë së Kryeministrit Berisha për të plotësuar të gjitha ofertat e Ilir Metës, numri i zv/ministrave pritet të jetë më i ulët se shtatë, për shkak se portofola të tillë priten t‘i ofrohen Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Partisë Republikane, partive të tjera të vogla të djathta, por edhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Për të caktuar emrat konkretë për pozicionet e zv.ministrave është lënë një moment i dytë pas betimit të qeverisë së re.

Qeveria e re

Skicimi i qeverisë së re ka marrë fund. Kryeministri do të publikojë emrat e ministrave të rinj pas seancës së parë të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët do të betohen, do të ngrihet komisioni i verifikimit të mandateve dhe më pas, kreu i mazhorancës do të drejtohet drejt presidencës për të kërkuar pëlqimin për ndërtimin e qeverisë së re. Struktura më e lartë drejtuese e PD-së ka mbyllur tashmë të gjitha dilemat mbi emrat që do të drejtojnë 10 ministritë e qeverisë "Berisha". Pakkush e ka të konfirmuar mandatin e ministrit, apo përbërjen e qeverisë së re, pasi Kryeministri Berisha ende nuk ka kryer lajmërimet se kush do të jenë ministrat e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›