E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rigoletto, dashuri, tradhti dhe hakmarrje nën tingujt e Verdit

Vjen në TKOB, opera e vënë skenë për herë ta parë në vitin 1851 në Venecia

Opera Rigoletto nga Xhuzepe Verdi do të vijë më 20 mars në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Do të jetë drama e thellë e pasionit dhe e dashurisë, tradhtisë dhe e hakmarrjes, e cila nën tingujt e shkruar nga Verdi do të zbresë në skenën e operës.

 Kjo kryevepër verdiane nuk ngjitet për herë të parë në skenën operistike shqiptare, por ky realizim i fundit i saj shënon dhe herën e katërt që ajo do të vijë për spektatorin shqiptar. Në këtë mënyrë kjo dramë ka njohur më parë tre variante skenike të saj, duke filluar nga viti 1965, në të cilin regjisori Luigj Gurakuqi në bashkëpunim me dirigjentin e njohur Mustafa Krantja e kanë sjellë këtë opera për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë që, Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortët Nina dhe Avni Mula. Ndërkohë një tjetër vënie në skenë e kësaj opere ka qenë ajo e vitit 1994, kësaj here me regji të Nikolin Gurakuqit dhe të tjerë solistë të njohur të TKOB kanë interpretuar në rolet e saj, përkatësisht Marjana Leka nën petkat e Xhildës dhe tenori Adrian Xhema, Agim Duro dhe Ymer Kaçaj, kanë realizuar personazhin e Rigoletos. Viti 2005 do të shënonte edhe 50-vjetorin e kësaj premiere, të cilën kësaj here do ta rikthente në skenë përsëri regjisori Nikolin Gurakuqi. Xhilda u interpretua sërish nga sopranoja e njohur e skenës operistike Marjana Leka, dhe Etleva Golemi, Rigoleto nga baritoni italian Pietro Terranova dhe ai shqiptar Ylber Gjini. Këtë herë të katërt të saj kjo kryevepër verdiane do të vijë me regji të italianit Nicola Zorzi, skenografia dhe kostumet Manuela Gasperoni, dirigjent kori Dritan Lumshi, as/dirigjent Davide Pandini, mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre Vittorio Parisi. Të ftuar do të jenë artistët e huaj Paolo Drigo dhe Nikolay Bykov. Interpretojnë kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB dhe solistët: Armaldo Kllogjeri, Ylber Gjini, Paolo Drigo, Eva Golemi, Ramona Tullumani, Nikolai Bikov, Vikena Kamenica, Manjola Konjari, Lindita Kola, Enkelejda Zepishta, Sokol Hidersha, Luan Sula, Erlind Zeraliu, Pandush Koko, Rezarta Qevani, Ina Gaqi. Kështu, përgjatë datave 20, 21, 23, 24 dhe 25 mars, solistë të njohur të TKOB do të interpretojnë në një nga veprat më mëdha të repertorit klasik botëror, siç është opera Rigoletto, e Xhuzepe Verdit e me libret të Francesco Maria Piave (sipas dramës së Viktor Hygo). Me këtë kryevepër verdhane, TKOB premton të sjellë suksesin radhhës në skenë për publikun. 

 Rigoletto, për herë të parë në Venecia
Rigoletto është një opera me tre akte, nga Verdi i mbështetur mbi libretin e Francesco Maria Piave, ky i fundit i trajtuar sipas dramës së Viktor Hygo, Le Roi s'amuse ("Il re si diverte"). Për herë të parë është vënë në skenë në 11 mars të vitit 1851 në Teatrin La Fenice, të Venezias. Në rolet përkatëse kanë interpretuar përkatësisht në atë të Dukës së Mantovës, tenori Raffaele Mirante, në atë të Rigolettos baritoni Felice Varesi, në rolin e Xhildës, Teresina Brambilla, soprano si Maddalena, Annetta Casaloni; Xhovana, Laura Saini, mezzosoprano Konti i Monterones, Paolo Damini, bariton, etj. Së bashku me veprat e tjera Il Trovatore (1853) dhe La Traviata (1853) Rigoletto konsiderohet pjesë e së ashtuquajturës trilogjisë më popullore të Verdit. Por kjo vepër për fat të keq, meqë në qendër të saj kishte një figurë të oborrit mbretëror menjëherë si e tillë u bë objekt i censurës austriake. Të njëjtin fat do ta kishte në vitin 1832 edhe vepra e Hygo-së Le Roi s'amuse, e cila gjithashtu u bllokua nga censura dhe u ripropozua sërish vetëm pas 50 vjetësh. Drama e thellë e pasionit dhe e dashurisë, tradhtisë dhe hakmarrjes vjen në këtë vepër dhe Rigoletto ofron jo vetëm një kombinim perfekt të pasurisë melodioze dhe fuqisë dramatike, por evidenton qartësisht tensionet e problemet sociale dhe pozitën femërore në një realitet të viteve 800.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›