Sejdiu në Bruksel: Pavarësia e Kosovës, solli stabilitet në rajon
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është takuar në Bruksel me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO, që e kanë njohur Kosovën, përfshirë dhe ambasadorin e Greqisë. Në takim nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e tre shteteve anëtare që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, përkatësisht të Spanjës, Sllovakisë dhe Rumanisë. Siguria në vend, e në veçanti
në pjesën veriore, si dhe bashkëpunimi mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR, ishin në qendër të takimit. I pyetur rreth bashkëpunimit rajonal dhe pranisë së Prishtinës në takimet rajonale, Sejdiu ka përsëritur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim. Kosova është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha takimet rajonale, ku trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera. Kjo vlen dhe për takimin që do të mbahet në fundjavë në Slloveni, deklaroi në Bruksel, Sejdiu. Ai i ka cilësuar si të panevojshme, por të tejkaluara, mosmarrëveshjet me komandantin e KFOR. Në fjalën e tij, presidenti Sejdiu ka theksuar se Kosova ka arritur ti hedhë poshtë gjithë prognozat e këqija që dolën para pavarësimit të vendit dhe ka arritur të mbajë stabilitetin e përgjithshëm në vend dhe të bëhet faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Sejdiu me këtë rast ka numëruar një varg të arritur të shtetit të Kosovës, ndërsa ka folur edhe për strategjinë për veriun e vendit, duke theksuar se qëllimi i strategjisë është integrimi edhe i asaj pjese të qytetarëve serbë, që mbahen peng i politikave të Beogradit, në institucionet e vendit, ngritja e nivelit të sigurisë, parandalimi i krimit të organizuar dhe atij ekonomik, zhbërja e strukturave paralele, lëvizja e lirë e qytetarëve e të gjitha komuniteteve. Sejdiu nënvizoi gjithashtu se Kosova është e gatshme për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe kërkon një Udhërrëfyes nga Bashkimi Evropian për liberalizim. Ai tha gjithashtu se Republika e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit për shkëmbim të përvojave në rrugën e integrimeve. Presidenti Sejdiu u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Serbinë që ti shmanget qasjes jokonstruktive, ndërsa theksoi gjithashtu që përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi të jetë kusht për anëtarësim në BE për këtë të fundit. Ndër të tjera, Sejdiu ka theksuar se Kosova ka organizuar zgjedhjet në nivel lokal, të parat të administruara nga institucionet vendit, duke çmuar angazhimin dhe pjesëmarrjen në këto zgjedhjet të përfaqësuesve të komuniteteve, si dhe duke e cilësuar si inkurajuese rritjen e daljes së përfaqësuesve të komunitetit serb në këto zgjedhje. Presidenti Sejdiu tha se përfaqësimi i komuniteteve bëhet në të gjitha nivelet e qeverisjes, nga Qeveria qendrore dhe në nivelin lokal, si dhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete. Një pjesë të fjalës së tij, presidenti Sejdiu ia kushtoi edhe bashkëpunimit të institucioneve të vendit me institucionet ndërkombëtare, KFOR, EULEX dhe ICO. Duke folur për punën e EULEX, ai tha se ekziston nevoja për veprime konkrete në vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë Republikën e Kosovës, ndërsa në raportet me ICO ai ritheksoi vazhdimin e bashkëpunimit në zbatimin e Planit të Presidentit Ahtisari. Presidenti Sejdiu theksoi në vijim se institucionet e Republikës së Kosovës kanë një bashkëpunim shumë të mirë me KFOR, i cili vazhdon të ketë një besim të madh te qytetarët e vendit. Ai e çmoi shumë të rëndësishëm rolin e KFOR në mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, ndërsa theksoi edhe një herë mbështetjen e fuqishme që KFOR ka dhënë dhe po jep në ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në përputhje me standardet e NATO. Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Sejdiu foli edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet dhe shteti i ri i Kosovës, duke përmendur angazhimin e mëtutjeshëm për sigurimin e njohjeve ndërkombëtare, sigurimin e pjesëmarrjes në tryezat rajonale dhe ndërkombëtare, anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian, përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, e të tjera.
Last Updated on E Merkure, 17 Mars 2010 22:50