E Diel, 1 Nëntor 2026

Rihana dhe Adela

Në pamje të parë duket sikur nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën: e para, një këngëtare me famë botërore dhe e dyta, pjesëmarrëse në spektaklin reality show "Big Brother Albania 2". Megjithatë ka diçka që i bashkon dhe ajo ka të bëjë me përdorimin e figurës së tyre në media. Rastisi që në të njëjtën ditë ose në të njëjtin hark kohor u botua fotoja e Rihanës së rrahur nga i dashuri, ndërsa një e përditshme shqiptare botoi një reportazh nga vendlindja e Adelës, në Kavajë, ku përshkruheshin përpjekjet "titanike" të gazetares për të kontaktuar prindërit e saj, dhe ata të të fejuarit të saj. Puna ishte se ata nuk donin të flisnin me gazetarë dhe nga dera gjysmë e hapur e apartamentit modest ku zhvillohej biseda, gazetarja kishte arritur të kuptonte që nuk ia kishin hapur shtëpinë jo se ishte e vogël, siç pretendonin ata, po sepse ishte e varfër(!). Shumë cinik, si konstatim.

Në rastin e Rihanës, shumëkush do të thoshte se ky është çmimi që personat publikë paguajnë për famën e tyre dhe ky është një problem i kahershëm në raportet e tyre me mediat. Personat publikë s‘kanë më të drejtë për jetë private. Megjithatë mendoj se nuk është aspak e këndshme ta shohësh fytyrën tënde të copëtuar që bën xhiron e ekraneve dhe gazetave në të katër anët e globit, vetëm për të kënaqur ca lexues a shikues kureshtarë. Nuk mjafton vuajtja që të shkakton dhuna, po duhet edhe ta vërtetosh atë për sytë e botës (!), sepse praktikisht këtë bëri media me publikimin e fotos. Në diçiturën që shoqëronte foton thuhej gati me një vetëmburrje të dukshme: ja fotoja e Rihanës së rrahur nga i dashuri dhe mbajtur sekret nga policia. Nënteksti ishte i qartë: Ne, heronjtë, e nxorëm për ju!

Por rasti i Adelës shkon më larg se kaq. Ai është një rast persekutimi i pastër i anëtarëve të një familjeje nga media, vetëm sepse vajza e tyre ka vendosur të bëhet personazh publik. Këtu shtrohet çështja: sa larg duhet të shkojmë në përpjekjet tona për të shkruar një histori që nuk është një çështje madhore, me interes publik të atillë që do ta justifikonte këmbënguljen? Po flasim për një spektakël që synon zbavitjen e njerëzve. Më duket e tepërt dhe e shëmtuar ndërhyrja kaq e dhunshme për t‘i detyruar njerëzit të flasin nëse nuk kanë dëshirë. Edhe përshkrimi i refuzimit të tyre më duket i pavend dhe i pamëshirshëm. Gazetarët duhet t‘i respektojnë njerëzit që nuk dëshirojnë të intervistohen. E përsëris, nuk bëhet fjalë për çështje publike të një interesi madhor, me figura zyrtare publike që janë të detyruar t‘i përgjigjen publikut për kryerjen a moskryerjen e detyrës së tyre. Në këtë rast, gazetarët kanë të gjithë të drejtën e zotit t‘i bëhen ferrë zyrtarit në fjalë për të marrë një shpjegim. Madje, gazetarët duhen përgëzuar e përkrahur në këmbënguljen e tyre për të siguruar transparencën e nevojshme për një shoqëri demokratike. Një etalon i gazetarisë ndërkombëtare si BBC-ja u mëson të interesuarve në faqen e saj të internetit se gazetaria dallon nga komercializmi pikërisht në faktin se gazetari jep informacione që publiku duhet t‘i dijë, ndërsa komercialja rend pas asaj që publiku dëshiron të dijë.

Për të kuptuar më mirë sa e shëmtuar është kjo që kanë bërë me Adelën, po e krahasojmë me një histori tjetër që vjen po nga shtëpia, dhe që dhuroi emocion. Ishte letra e babait të njërit prej pjesëmarrësve që kishte 20 vjet pa komunikuar me djalin e tij. Një letër që rrëfeu bukur një histori njerëzore, të dhimbshme, por krejt qytetarisht. E në këtë rast personi kishte pranuar të bëhej pjesë e show-t, me vullnetin e vet. Nëse dikush vendos të bëhet personazh publik, nuk do të thotë që të mësysh edhe familjen e tij/të saj dhe ta tërheqësh me zor në një skenë ku nuk dëshiron të shkojë, vetëm për të kënaqur kureshtjen e pamat të një publiku qejfli. Ndoshta kjo ka lidhje me atë nivel rrënues komunikimi, siç është mbiquajtur kultura e dialogut në Shqipëri dhe ku media ka pa diskutim një rol të rëndësishëm. Ndaj është për t‘u shqetësuar, qoftë kur bëhet fjalë për Rihanën a për Adelën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›