E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, Tërbuni e Butrinti: Do të apelojmë deri në UEFA

Dhuna në futboll merr goditjen më të ashpër në këto vitet e fundit. Madje, insistimi për të bërë shembull shkaktarët e saj ka detyruar Komisionin e Disiplinës të nxitojë. Ndërsa ishte paralajmëruar se mbledhja e këtij komisioni do të mbahej të mërkurën, surpriza ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së martës. I mbledhur për të shqyrtuar parregullsitë e javës së fundit futbollistike shqiptare, por në veçanti incidentet e dhunshme në ndeshjet Tërbuni-Kastrioti (Kategoria I) dhe Butrinti-Memaliaj (Kategoria II), ku gjyqtarët u bënë viktima të dhunës barbare, Disiplina ka vendosur që të përjashtohen pukjanët dhe sarandjotët nga çdo aktivitet futbollistik dhe pezullimin e tyre për dy sezonet e ardhshme. Po ashtu, të dyja klubeve u është akorduar edhe nga një gjobë. Me të mësuar këtë, drejtuesit e lartë të dy klubeve janë shprehur të befasuar, jo vetëm se prisnin që mbledhja të zhvillohej të mërkurën, por edhe për vendimet, të cilat i konsiderojnë absurde dhe të ekzagjeruara. Madje ata nuk ngurrojnë të hedhin edhe akuza ndaj drejtuesve të FSHF-së, të cilët, sipas tyre, nuk i kanë krijuar kushtet për një gjykim të paanshëm. Presidenti i Tërbunit, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Pukës, Rrustem Struga, thekson se bëhet fjalë për një "vendim të ashpër, i padrejtë, tejet ekstrem dhe që nuk ka marrë parasysh asnjë fakt. I marrë si në kohën e njësiteve guerile, ky vendim i FSHF-së ka ofenduar dhe ka helmuar të gjithë qytetarët e Pukës". Vendimi ka qenë i papritur edhe për sarandjotët. "Është e çuditshme, ne jemi njohur nëpërmjet medias për vendimin", tha drejtori i Butrintit, Kosta Zaro. Ai akuzon FSHF-në për përjashtimin 2-vjeçar. Por po dje ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila, nëpërmjet sekretarit të saj të përgjithshëm, Arben Bici, ka saktësuar se, vendimet janë marrë konform rregulloreve të futbollit dhe këtu nuk duhet të ketë aspak vend për dyshime. Ndërsa i ka konsideruar të dyja ngjarjet shumë të shëmtuara dhe që nuk mund të bashkëjetojnë me futbollin, ai ka paralajmëruar se këtë fund do të kenë të gjithë ata që do të provojnë të përsërisin skena të tilla në të ardhmen. "Këto vendime janë marrë në bazë të rregulloreve të Federatës, të cilat janë të pasqaruara në nenet përkatëse dhe këtu nuk ka asgjë personale. Këto masa të ashpra merren, kur skuadrat dhe klubet zgjedhin të bëjnë vetëgjyqësi". Gjithsesi, menjëherë pas njohjes me vendimin si kryebashkiaku i Pukës, Rrustem Struga dhe ai i Sarandës, Edmond Gjoka, ka mbledhur këshillin bashkiak të qytetit përkatës, ku është vendosur se cila do të jetë rruga që do të ndjekin për të kundërshtuar këtë vendim. Të dyja palët kanë vendosur të apelojnë si fillim në Komisionet e Apelit në FSHF, por nëse nuk do të gjejnë zgjidhje, ata janë të vendosur ta çojnë këtë çështje deri në Gjykatën Sportive, në Lozanë të Zvicrës.

Kategoria I

Pas "furtunës", mbizotërojnë duartrokitjet

Pas "furtunës", e cila shkaktoi përjashtimet e Tërbunit dhe Butrintit, kategoritë inferiore janë shndërruar në aktivitete shembull. Dora e hekurt e përdorur nga FSHF-ja ka bërë që në harkun e 24 orëve situata të ndryshojë dhe futbolli të shihet si një spektakël për t‘u shijuar dhe jo më si arenë dhune. Ndoshta për të ndryshuar një mentalitet "barbar" duhet shumë kohë, por në takimet e djeshme të Kategorisë së Parë është hedhur një hap shumë i rëndësishëm. Mbyllja e takimeve të javës së 20-të është shoqëruar në shumë fusha me duartrokitjet e tifozëve vendas për skuadrat kundërshtare. Një ngjarje e rrallë për këtë kategori, ku ekipet udhëtuese trajtohen si "armiq". Të mërkurën, të gjithë kanë pranuar rezultatet, kanë harruar polemikat dhe të paktën për 90 minuta i janë përkushtuar lojës së luajtur. Ngjarja që bie më shumë në sy është ajo që shoqëroi takimin Kastrioti-Dajti, e mbyllur me fitoren 1-0 të vendasve. Pasi kanë parë tmerr me sy në fushën e Pukës, krutanët kanë treguar përgjatë gjithë kohës një "fair-play" shembullor. Ndërkohë, në momentin kur futbollistët dhe stafi teknik i Dajtit ka dalë nga fusha, ata janë duartrokitur nga të gjithë të pranishmit në stadium. Në fund të ndeshjes, lojtarët kanë ndërruar edhe fanellat me kundërshtarët. Për sa u takon rezultateve, bie në sy humbja 4-1 e Skënderbeut në Laç. Korçarët vazhdojnë të qëndrojnë në krye të tabelës, por tashmë vetëm me 1 pikë më shumë se laçianët. Kjo ishte humbja e parë e trajnerit Indrit Fortuzi në stolin e skuadrës juglindore.

e. kodheli

KATEGORIA E PARË / Java 20

Besëlidhja- Naftëtari 1-0

Ada-Sopoti 2-1

Luftëtari-Turbina 0-1

Bilisht Sport-Pogradeci 2-1

Burreli-Gramozi 3-0

Laçi-Skënderbeu 4-1

Kastrioti-Dajti 1-0

Skrapari-Tërbuni* 2-0

(* Fitore në tavolinë, Tërbuni është përjashtuar)

Klasifikimi

N P

1. Skënderbeu 20 43

2. Laçi 20 42

3. Kastrioti 20 38

4. Gramozi 20 34

5. Burreli 20 32

6. Dajti 20 29

7. Turbina 20 27

8. Luftëtari 20 26

9. Skrapari 20 25

10. Sopoti 20 25

11. Besëlidhja 20 24

12. Ada 20 23

13. Pogradeci 20 20

14. Bilisht S. 20 18

15. Naftëtari 20 16

- Tërbuni* - -

(*Tërbuni është përjashtuar nga kampionati)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›