Rihapet historia e Ligjit për Teatrin

Mimoza Sofroni pohon se Ligji që po hartohet parashikon hyrjen e arteve nën një çati: në Qendrën Kombëtare të Artit.
Në këtë mënyrë MTKRS heq barrën e sponsorizimit të OJQ-ve dhe kompanive private. A kemi të bëjmë prapë me një akt demagogjik?
Mimoza Sofroni, drejtoreshë e Arteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me përvojë disavjeçare, thotë se urdhri i kryeministrit për ngritjen e Teatrit të Komedisë e gjeti në valë pune grupin e ngritur nga ministria për hartimin e Ligjit "Për Artin".
Ky njehsim gjatësish i valëve të politikës ka të bëjë, sipas Sofronit, me një nevojë për të ndërhyrë në të njëjtin vend ku prej vitesh është dështuar sistematikisht: hartimi i një ligji dikur, në vitin 1998 "Për Teatrin", pastaj në 2005 "Për Artin Skenik" dhe tani thjesht "Për Artin".
Qysh kur ka marrë mandatin e ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferaj para dy ditësh shqiptoi për herë të parë fjalët Ligj për "Artin Skenik". Pas takimit të ministrit me aktorë për ngritjen e Teatrit të Komedisë, drejtoresha Sofroni bëri të ditur se është ngritur grupi i punës për hartimin e një ligji i cili parashikon hyrjen e arteve nën një çati: në Qendrën Kombëtare të Artit. Në këtë mënyrë MTKRS heq barrën e sponsorizimit të OJQ-ve dhe kompanive private.
Tani që mësojmë cilët janë ata që po hartojnë ligjin, lind pyetja: A kemi të bëjmë prapë me një akt të pastër demagogjik të politikës?
Në grupin e punës mungojnë njerëz që do të jepnin kontribut konkret, kurse kryetar i grupit është Besjan Pesha, një njeri politik i përfshirë në skenën burokratike të kulturës dhe arteve vetëm prej disa muajsh si drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Artit në MTKRS. Nga ana tjetër, shefi i tij, ministri i Kulturës deri tani ka treguar se në rolin e ministrit di të angazhohet në mënyrë sipërfaqësore e sa për të thënë. Kështu ai kursen energjitë që i duhen për të përballuar rrufetë e shefit urdhërues.
Një analizë e gjuhës që kryeministri Berisha përdori në mbledhjen e qeverisë përballë ministrit të Kulturës, do dëshpëronte këdo që përfshihet qoftë edhe rastësisht në punët e kulturës përballë autoritetit shtetëror.
Toni represiv dhe fryma paralizuese që përdor kreu i qeverisë (kur i kërkon ministrit të tij "të gjenden sallat dhe t'i jepet një karakter kombëtar" teatrit të humorit dhe satirës, apo kur i drejtohet në këtë formë: "Dhe askush nuk mund të të bindë që njerëzit nuk duan të qeshin.") janë mikroklimë për kultivimin e ëndrrave dhe qëllimeve të deformuara. Hapja e sirtarëve ku fle prej 11 vjetësh ligji "Për Teatrin" ka të ngjarë të vijë nga shtysa si këto.
Zonja Sofroni, pse po e rishikoni Ligjin "Për Artin Skenik"?
Në planin analitik të integrimit, kur parashikohen të gjitha legjislacionet që do të duhen të hartohen, lindi nevoja që të rishikohet Ligji "Për Artin Skenik". Kjo për arsyen e vetme se ky ligj, kufizohej vetëm tek artet skenike dhe linte jashtë artet e tjera. Për të përfshirë një diapazon më të gjerë të arteve e quajtëm Ligji "Për Artin".
Në të njëjtën kohë kur u bë propozimi i kryeministrit për ngritjen e Teatrit të Komedisë ne ishim duke punuar mbi këtë ligj, konkretisht duke diskutuar se cilat do të ishin institucionet që krijohen, cilat mbeten apo kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës.
Ndër këto, krijohet Qendra Kombëtare e Artit e cila deri vonë mendohej si Qendra Kombëtare e Artit Skenik. Këtu përfshihet Cirku që do të jetë Kombëtar dhe Teatri i Komedisë që do të jetë po ashtu kombëtar. Rishikimi i ligjit erdhi si rezultat i mosfunksionimit normal të tij.
Kjo Qendër mendohet nën varësinë institucionale dhe buxhetore të ministrisë?
Ligji "Për Artin" parashikon që Qendra për Artin të menaxhojë projektet për artet pamore, muzikë, teatër, financime për botime të ndryshme dhe edukimin kulturor.
Kjo do të thotë që i gjithë fondi që MTKRS ka për shoqatat dhe individët do të kalojë tek kjo qendër dhe do të jetë ajo që do ta menaxhojë këtë lloj fondi. Duke bërë kështu të mundur shkëputjen qoftë edhe nga ndikimet politike.
Çfarë statusi do të ketë Teatër i Komedisë në këtë ligj?
Të gjitha këto institucione edhe Cirku, edhe Teatri i Komedisë, janë në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ato kanë një fond të veçuar që është parashikuar në buxhetin e shtetit, por ligji aktual që neve po ndërtojmë, mendohet që të ndikojë dhe në kompeticionin e tyre.
Kjo do të thotë që edhe institucionet Teatrit Kombëtar dhe të Operës dhe Baletit të mos kenë më mbështetje të projekteve nga ministria por të funksionojnë me buxhetin e tyre.
Mbi çfarë modeli po punoni ju?
Modeli për Qendrën i ngjan disi modelit të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Janë propozuar dy variante dhe ne do të shohim se cili do të mbështet më tepër nga artistët.
Njëri është për varësinë e Qendrës nga MTKRS me një urdhër ministri, sikundër institucionet e varësisë, po sigurisht shuma e saj do të jetë e parashikuar në PBA (Projekt Buxheti Afatmesëm) për të mbështetur individë dhe shoqata që nuk janë fitimprurëse, por zbatohen politika në njëfarë mënyre të Ministrisë së Kulturës dhe që ne të kemi mundësinë që kjo qendër të plotësojë politikat tona.
Pasi kësaj do të jetë nevoja për një reformë duke sjellë në kohë institucionet tona, pa atë mentalitetin e shkuar dhe të çalë.
Me këtë formë organizimi çfarë humbasin institucionet bazë?
Unë e përmenda dhe më parë që pavarësisht nga buxhetet, teatrove në fjalë u janë dhënë atyre për evenimente të ndryshme ose për projekte madhore, - kanë pretenduar dhe kanë marrë shpeshherë nga ministria fonde plus.
Gjë që tani nuk do të ndodhë më, sepse fondet për projekte do të trajtohen nga Qendra e Artit. Në këtë mënyrë do t'ju jepen shanse dhe mundësi kompeticioni teatrove private që do të ngrihen.
Nga cilët përbëhet grupi i punës për hartimin e ligjit?
Kryetari është Besjan Pesha, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Artit, Mimoza Sofroni, Drejtoreshë e Artit, Alma Kokonozi, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Zhani Ciko, drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit dhe dy specialistë të MTKRS-së. Ligji hartohet nga Ministria, pastaj do ta hedhim për debat.