E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktorët mjedisorë po dëmtojnë shëndetin e popullatës

Drejtori i Shëndetit Publik, Bejtja, pohoi se uji i pijshëm, ndotja e ajrit dhe zhurmat janë faktorët mjedisorë që ndikojnë negativisht mbi shëndet

Urbanizmi


Ndotja e ajrit, uji i pijshëm jo cilësor, ndotja akustike dhe mbetjet urbane janë ndër problemet kryesore që po ndikojnë negativisht mbi shëndetin e popullatës. Problemi është më serioz, sidomos në zonat urbane dhe vçanërisht në qytet e mëdha.


Drejtori i Shëndetit Publik në ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, në intervistën për "Shekullin" renditi faktorët mjedisorë që ndikojnë negativisht mbi shëndetin e popullatës. Pikërisht në javën Botërore të Shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh për sensibilizimin e shëndetit të popullatës.


Tashmë flitet për urbanizimin e qyteteve. A mund të na e shpjegoni çfarë të kuptojmë me këtë term?


Urbanizimi, ose e thënë ndryshe rritja e sasiore e qytetarëve, është një tendencë e kohës. Kjo rritje shprehet në shtimin e numrit të banorëve, në shtrirjen gjeografike të qyteteve, në shtimin e numrit të banesave të reja, në zhvillimin ekonomik dhe social që pëson gjithë qyteti për të përballuar popullsinë në rritje. Kështu, nëse Tiranës i janë dashur 45-50 vjet për të arritur rreth 200 mijë banorë, për më pak se 20 vjet ajo është 5-fishuar.


A ka impakt mbi shëndetin urbanizimi dhe cilët janë faktorët që ndikojnë mbi shëndetin?


Urbanizimi si proces ka një impakt të caktuar në shëndetin e popullatës. Përfitimet në shëndet janë të përcaktuara nga infrastruktura mjedisore, sociale dhe fizike, si kushte dhe faktorë që duhet të ndikojnë pozitivisht.


Faktorët që ndikojnë dukshëm në shëndet janë uji dhe higjiena, cilësia e ajrit, kushtet e jetesës dhe të punës, aksesi ndaj shërbimeve dhe resurseve shëndetësore etj. Të gjitha këto kushte dhe faktorë në mjedisin urban e bëjnë urbanizimin si proces një forcë të madhe që është në vete një përcaktues madhor i shëndetit publik në shekullin XXI.


Uji i pijshëm sa ndikon mbi shëndetin dhe si paraqitet situata në vendin tonë?


Zhvillimi i dekadës së fundit në Shqipëri ka sjellë shumë ndryshime në kërkesën për ujë. 93 % e popullsisë në zonat urbane furnizohen nga sistemi i ujësjellësit, ndërsa 68 % e popullsisë është e lidhur me rrjet kanalizimesh.


Problematika e vendit tonë është mostrajtimi i shkarkimeve të ujërave ndotës urbanë në të gjitha qytetet e vendit. Për sa i takon trajtimit të ujërave urbane në vendin tonë, vetëm 25 % e shkarkimeve urbane trajtohen në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.


Në rang botëror, 3 % e të gjitha vdekjeve, ku pjesa më e madhe përshin sëmundjet diarreike, i atribuohet mungesës së burimeve ujore dhe nivelit të ulët të higjienës. Në Shqipëri ka rezerva ujore të bollshme, megjithatë furnizimi me ujë pothuajse në të gjitha zonat urbane është me ndërprerje për shkak të problemeve të ndryshme në infrastrukturën ujore.


Po për faktorë e tjerë që ndikojnë negativisht mbi shëndetin, cilët janë më problematikët për shëndetin e popullatës?


Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem serioz për shëndetin e popullatës. Shkarkimet nga automjetet dhe ndërtimet e ndryshme, kontribuojnë shumë në ndotjen e ajrit urban, duke shkaktuar probleme në frymëmarrje, sidomos tek moshat shumë të reja dhe të moshuarit.


Gjatë vitit 2001-2005 kemi një rritje prej 14.6 % të numrit të automjeteve. Rëndësi të vçantë ka cilësia e lëndës djegëse që përdoret nga automjetet, e cila në vendin tonë është më cilësi e ulët se ajo e vendeve të BE-së. Nga monitorimet e kryera rezulton se cilësia e ajrit në zonat urbane është problematike sa i përket përmbajtjes së pluhurave. Gjithashtu problematike janë e zhurmat.


Në zonat urbane ndotja akustike për shkak të aktiviteteve të ndryshme si trafiku rrugor, ndërtimet dhe aktivitete tregtare (lokalet, klubet) shpesh herë i tejkalon normat e lejuara. Nga monitorimet e kryera në disa qytete të vendit rezulton se Tirana ka nivelin më të lartë të ndotjes akustike. Ndërkohë, si faktor negativ në qytete urbane janë edhe mbetjet urbane.


Mbipopullimi i shpejt i zonave urbane, ndryshimi dhe përmirësimi i stilit të jetesës ka sjellë rritjen e madhe të ndotjes urbane. Për periudhën 2005-2008, sasia e mbetjeve ka arritur nga 186kg/banorë/vit në 229kg/banorë /vit. Problematik është menaxhimi i ndotjeve urbane në shumë qytete të vendit.


Drejtori i Shëndetit Publik pohon se në vendet e zhvilluara tendenca është spostimi i trafikut në periferi, në Shqipëri po ndodh e kundërta

Trafiku urban, ja pasojat mbi popullatën


Gjithnjë e më tepër zhvillimet e shpejta urbane po sjellin probleme e shqetësime të panjohura më parë, ku një ndër to është trafiku urban. Sipas specialistëve të shëndetit publik dhe drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, i tillë është ai i rritjes së qarkullimit rrugor ose rëndimi i trafikut gjë që përbën rrezik serioz për jetën e popullatës së përqendruar në qytetet e mëdha.


Investimi i kryer në rrugët e vendit, sidomos në ato urbane, krahas vlerave të padiskutueshme ka dhënë efekte të padëshiruara në trafik. Kështu Bejtja theksoi se vërejmë ulje të sigurisë në rrugë, shifra të pastabilizuara të aksidenteve, zgjerim të gamës së problemeve që kërkojnë zgjidhje afatgjata.


"Në Shqipëri kanë ndodhur në këto vite afërsisht 35 vdekje në vit nga aksidentet rrugore. Nëse në vendet e zhvilluara tendenca është spostimi i trafikut në periferi, në Tiranë dhe në qytete e tjera të mëdha po ndodh e kundërta. Qarkullimi është rënduar duke u përqendruar në qendër.


Kjo për shkak edhe të pranimit të ndërtimeve shumëkatëshe me shërbime që kanë sjellë e do ndikojnë akoma më tepër në qarkullim", pohon Bejtja, duke shtuar se gjendja e trafikut publik është me mangësi të theksuara dhe nuk ofron shërbimin e duhur qytetarëve.


Transporti publik, sipas tij, nuk ofron shërbim për qytetarët, por përdoret vetëm nga pjesa që nuk ka mundësi të lëvizë me mjete të tjera, për pasojë tendenca është për rritjen e përdorimit të mjeteve vetjake dhe për pasojë edhe më shumë probleme në të ardhmen.


Specialistët
Edukimi i mjedisit, që në bankat e shkollës

Mbajtja e mjedisit pastër dhe bukur duhet të fillojë me edukimin e brezave të rinj që në bankat e shkollës. Një ndër problemet madhore të ndotjes së mjedisit, sipas specialistëve të shëndetësisë janë edhe mbetjet plastike, sidomos djegia e tyre në natyrë.


Pikërisht në lidhje me edukimin mjedisor dhe sidomos me ndotjet plastike, UNICEF ka nisur prej disa muajsh aksionin për edukimin e fëmijëve nëpër shkolla, ku janë përfshirë rreth 40 shkolla në gjithë vendin.


Nisma të tilla, sipas specialistëve të shëndetësisë duhet të jenë të vazhdueshme gjithmonë në mënyrë që popullata të edukohet dhe ndërgjegjësohet për rëndësinë e mbajtjes pastër të mjedisit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›