Porto Romano, dyshime për 2 milionë eurot për pastrimin
Qeveria hedh në kosh projektin paraardhës dhe investimin prej 1.75 miliardë lekësh në vitin 2004. Nis "projekti i ri"
Porto Romano është kthyer në një "grope të zezë e të ndotur" ku vetëm derdhen para. Në emër të statistikave të frikshme mbi kontaminimin e zonës, jo vetëm qeveritë shqiptare por edhe donatorë të huaj kanë zgjidhur qesen për projektet që kanë mbishkrimin "Porto Romano". Kështu ka ndodhur edhe me projektin më të fundit të Bankës Botërore me vlerën e dy milionë eurove.
Projekti që merr përsipër rehabilitimin e zonës do të nisë së shpejti, ndërkohë që qeveria aktuale duket se i ka hedhur në kosh projektet ekzistuese e bashkë me to dhe paratë, të cilat duket se vetëm për pastrimin e zonës nuk kanë shkuar.
Projekti i hartuar nga kompania italiane ERM, i cili do të kushtojë dy milionë euro, merr përsipër shndërrimin e Porto Romanos në një landfill. Sipas Aleksandër Garulit, këshilltar i ministrit të Mjedisit, i cili do të mbikëqyrë projektin, punimet do të fillojnë së shpejti ndërkohë që tenderi është fituar nga kompania daneze ECO-KEMP.
Garuli thotë se projektit i janë realizuar të gjithë studimet, duke filluar që nga ai mjedisor, gjeologjik, dhe shëndetësor i popullatës, në përfundim të të cilit është dhënë dhe zgjidhja që parashikon shndërrimin në një sipërfaqe prej një hektar në një landfill të zonës së Porto Romanos.
Sipas Garulit, ky është projekti i parë për këtë zonë. Por në fakt rezulton krejt e kundërta. Që në vitin 2004 ka nisur projekti në rehabilitimin e zonës ku fillimisht janë akorduar 150 milionë lekë të reja.
Fondi prej 150 milionë lekësh për këtë projekt u akordua nga Ministria e Mjedisit, ndërkohë që këtij investimit i parapriu edhe një grant i qeverisë me një vlerë prej 250 mijë dollarësh për studimin dhe pastrimin e zonës.
Pikërisht ky studim u krye nga firma gjermane "GKV Consult". Studimi gjerman parashikonte një fond prej afro pesë milionë euro për pastrimin e plotë të zonës. Projekti konsistonte në në izolimin e helmeve ku e tërë sipërfaqja e ndotur do të betonizohej. Izolimi do të ishte në thellësinë mbi katër metra, pasi mbi këtë thellësi ndodhen shtresat argjilore, të cilat nuk lejojnë ndotjen e mëtejshme të mjedisit.
Pikërisht realizimi i këtij projekti bëri që Banka Botërore, në mars të vitit 2005 të miratojë lëvrimin e fondit të dhënë nga qeveria holandeze me një vlerë prej 3.13 milionë dollarë. Ky grant i akorduar do të financonte punimet e pastrimit dhe rehabilitimit të zonës.
Asokohe kompania gjermania në bashkëpunim më një tjetër kompani shqiptare nisi fazën e zbatimit të këtij projekti. U bë i mundur riambalazhimi i të gjithë kimikateve që ndodhen në zonë, u bë rrethimi i uzinës si dhe ndërtimin e pareteve të dampës që do të bënin kullimin e ujërave në Porto Romano.
Projekti më pas do të vijonte me ndërtimin e kapsulës në një sipërfaqe të konsiderueshme që do të izolonte tërë zonën e kontaminuar. Askush nga zyrtarët aktualë nuk të jep një përgjigje përse u ndërpre zbatimi i këtij projekti.
Gjashtë vite më pas, qeveria merr përsipër të realizojë pikërisht të njëjtën gjë, duke ndryshuar vetëm emrat e firmës që do të kryejnë punimet. Pikërisht për këtë arsye, znj Majlinda Hoxha, përgjegjëse e zyrës "Menaxhimit të integruar dhe pastrimit të zonës bregdetare", thotë se rehabilitimi i zonës së Porto Romanës ka qenë pjesë e këtij projekti.
Por specialistët e mjedisit shprehin dyshimet e tyre mbi zbatimin e projektit të ri, ku duket se gjysma e punës është kryer këtu e gjashtë vite më parë. Por këshilltari i ministrit të Mjedisit, thotë se ky është projekti i parë i hartuar për këtë zonë.
Zoti Garuli të thotë se brenda një viti, Porto Romano do të jetë një ambient i gjelbëruar dhe se atij "nuk i duhen se ç'kanë bërë qeveritë paraardhëse", paçka se këto para janë detyrime që do të shlyhen nga çdo taksapagues shqiptar.
************************
Prej vitesh zona e ndotur është shndërruar në vendin e grumbullimit të parave që kurrë nuk kanë mbërritur në destinacion
Porto Romano, aty ku abuzohet me 15 mijë banorë
Një erë e fortë squfuri të zë frymën sapo shkel në Porto Romano. Mushkëritë nuk të ngopen me ajër dhe nuk është se duhet të dish nga punët e ambientit për të kuptuar që në këtë zonë nuk mundet të jetosh.
Por vendasit të ardhur gjatë këtyre 20 viteve, thuajse janë mësuar me ajrin e squfurit të Porto Romanos. Janë lodhur së kërkuari lart e poshtë pak ajër të pastër dhe tani ngrysin ditët në këtë vend ku jeta ngjizet me vdekjen. Në kërkim të një jetë më të mirë kanë zbritur nga rrethet veriore të vendit duke "zaptuar" hapësirat e lira të "vdekjes" në Porto Romano.
Nasip Jani nga Ternova e Peshkopise ka blerë me letra me vlerë hapësirat e ish-Uzinës së Pesticideve në Durrës. Po kështu edhe familjet e tjera prej 20 vjetësh duke ndjekur rrugën e një mallkimi të pathëne, jetojnë nën ajrin e rënde të qiellit që rrethon Porto-Romanon. Janë rreth 15 mijë banorë që nuk e njohin të vërtetën e tokës së ndotur me lëndë vdekjeprurëse.
Nuk e kuptojnë prej nga iu vjen e keqja, bëjnë zhurmë vetëm e vetëm për fabrikën e lëkurës, ndërkohë çdo ditë thithin me hundë, pinë me ujë helmin vdekjeprurës që nuk vonon shumë e kthehet në kancer.
Thuajse nuk e dinë se sa pranë e kanë vdekjen. Ndërsa ata që e dinë këtë gjë, duket se nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë hartuar projekte ku destinacioni duhet të ishte pastrimi i zonës së helmatisur të Porto Romanos.
Por deri më tash, përveçse një muri rrethues përqark ish-fabrikës, asgjë tjetër nuk është bërë në këtë zonë. Njerëzia aty vazhdon të thithë po atë ajër që të zë frymën dhe pirgu i plehrave s'ka bërë gjë tjetër veçse ka përkeqësuar situatën.
Megjithëse publikisht thuhet se ka nisur projekti në reabilitimin e zonës, vendasit të thonë që asnjë specialist nuk është dukur këtyre anëve. Sipas Nurije Haxhiajt, e ardhur nga Hasi, analizat fëmijëve të saj i janë bërë që në vitin 2004.
Këtyre anëve nuk kanë parë punonjës të shëndetit publik apo edhe përfaqësues të pushtetit për t'u marrë seriozisht me hallet e tyre. "Vijnë sa herë ka zgjedhje premtojnë se do të pastrojnë zonën por më pas nuk duken më.
Ne vazhdojmë të jetojmë këtu ku dhe ujin duhet ta blejmë në Durrës"- thotë Nurije Haxhiaj. Ndërsa Nuredin Matajt, banesa e të cilit është në hyrje të ish-uzinës, thotë se ka vendosur të presë dhe fjalën e fundit të pushtetarëve të tij.
"Dy ditë më parë erdhën disa punonjës të mjedisit dhe na thanë se shumë shpejt do të rregullohet puna. Ndaj dhe ne kemi vendosur të presim disa ditë, në të kundërt do të bllokojmë rrugën sepse këtu nuk jetohet më"- thotë Nuredini.
Sipas analizave të bëra, shifrat e ndotjes janë alarmante në Porto Romano. Ish-ndërmarrja kimike Durrës deri në momentin që është mbyllur ka prodhuar bikromat natriumi për përpunimin e lëkurës si edhe pesticide si "Lidan" dhe "Tiram".
Në mostrat e ujit të marra në ujerat nëntokësore të kësaj zone rezulton se përmbajtja e klorbenzenit ishte rreth 4000 here më e madhe se ajo normalja. Ekspozimi i i vazhdueshëm ndaj sasive të mëdha të klorbenzenit mund të shkaktojë pasoja në sistemin nervor, palcën e kockave, mëlçi, veshka, gjak etj.
********************
Camille Nuamah: Deri tani kemi investuar rreth tetë milionë dollarë në zonën më të ndotur në Shqipëri
Banka Botërore: Paratë tona për Porto Romanon
Rreth tetë milionë dollarë janë investuar nga Banka Botërore për rehabilitimin e zonës së Porto Romanos. Këtë e ka pohuar dje kryetarja e këtij institucioni, e cila për herë të parë ka shpjeguar fondet e akorduara për një nga vendet më të ndotura në Shqipëri.
Camille Nuamah ka sqaruar dje projektet e aplikuara në zonën e Porto Romanos, që datojnë që në vitin 2003. Sipas saj, projektet e kanë nisur të financohen nga Banka Botërore ahere kur Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) kërkoi një vlerësim mjedisor, i cili identifikoi pesë pika të nxehta mjedisore për t'u pastruar në Shqipëri. Ish-uzina kimike në Porto Romano në Durrës u rendit e para për shkak të rreziqeve të rënda që kjo zonë paraqiste për shëndetin e njerëzve, ujërat nëntokësore, dhe habitatet detare.
Studimi rekomandoi ndërmarrjen e veprimeve urgjente dhe i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar që ofronte ndihmë emergjente në këto fusha prioritare.
Në vitin 2004, qeveria kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për të rehabilituar zonën e Porto Romanos.
Ndërkohë, Qeveria e Holandës shprehu interesin e saj për të mbështetur pastrimin. Po ashtu, një grant Japanez (PHRD), prej US $ 250,000, financoi realizimin e studimit të fizibilitetit për rehabilitimin e zonës.
Më vonë në vitin 2004, Banka Botërore ra dakord për të përfshirë në një projekt të vetëm dy projektet e veçanta: atë të menaxhimit të zones bregdetare dhe atë të pastrimit të Porto Romanos, i njohur tashmë si Projekti i Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare dhe Pastrimit.
Qeveria e Holandës angazhoi një shumë prej 5 milionë dollarësh për këtë pastrim dhe më vonë në vitin 2006 akordoi paralelisht edhe 1 milion për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të beturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës në një fabrikë të specializuar në Gjermani"- tha dje drejtoresha e Bankës Botërore znj. Camille Nuamah.