E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikard Ljarja, aktivitet për 65-vjetorin e lindjes

Aktori i njohur Rikard Ljarja, mbajtës i titullit "Artist i Merituar", do kalojë dhe njëherë revistë me të gjitha rolet e tij në kinema gjatë një karriere mbi 40-vjeçare. Me rastin e 65-vjetorit të lindjes, për nder të tij, Arkivi Qendror Shqiptar i Filmit organizon një aktivitet nesër paradite, në sallën e kompanisë filmike AA. Aktiviteti përfshin një kolazh me krijimtarinë dhe episodet e roleve nga Rikard Ljarja si aktor e si regjisor; mbresa e biseda mes miqsh, si dhe një koktejl. Rikard Ljarja është ndër figurat më të mëdha të kinemasë shqiptare. Figura e tij është skalitur në shumë role, nga më mbresëlënëset, të cilat publiku i kujton dhe sot e kësaj dite për shumë e shumë batuta pikante dhe veçanti të rralla aktrimi. Rikard Ljarja e pati të zgjeruar karrierën e tij artistike jo vetëm si aktor, por dhe si regjisor e skenarist, ndërsa vitet e fundit është marrë dhe me letërsi të mirëfilltë. Edhe pse i tërhequr nga kinemaja vitet e fundit, atij iu rezervua çmimi i "Aktorit më të Mirë" në Festivalin e fundit të Filmit Shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›