Njeriu-hartë
E papërcaktuar në datë të saktë, kosovari Afrim Ethemi ka premtuar se së shpejti do ia prezantojë publikut shqiptar koleksionin e tij të rrallë të hartave. Ai është ndër të rrallët njerëz me pasionin e çuditshëm të mbledhjes së hartave, e shumë pak ose aspak njihet në Shqipëri. Ndërsa në Kosovë ka arritur të prezantohet me disa ekspozita. Ai posedon rreth 200 harta të vjetra dhe i komenton si vlera të jashtëzakonshme për t‘i shërbyer historiografisë me fakte dhe argumente të panjohura më parë. Pasioni për hartat, Afrim Ethemit i është ngjizur gjatë studimeve në Bruksel. Siç e ka shpjeguar dhe vetë, nëpërmjet tyre ai krijoi një pikëlidhje me shtëpinë në Pejë; një pikëlidhje për të shuar mallin dhe për ta mbajtur të fortë identitetin. Dhe për këtë gjeti një formë origjinale: iu përkushtuar gjetjes, mbledhjes dhe koleksionimit të hartave të vjetra, pasi dhe në shtëpinë e tij ishte rritur me të njëjtin dekor rreth e rrotull, jo me harta, por me relike e dorëshkrime të shumta, të trashëguara nga brezat e mëparshëm, të cilat i krijonin atij ndjesinë se ishte lindur e po rritej në një muze. Koleksionimin e hartave ai e nisi që në vitet ‘70, duke u dhënë pas blerjes në rrugë të shumë vjetërsirave, sidomos afër shkollës ku ai studionte, në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Tregon se mes tyre, më shumë vëmendje i tërhiqnin hartat ndaj dhe iu kushtua atyre me ato pak mundësi financiare që kishte, duke i blerë pak e nga pak. Por lufta në Kosovë do ia rrëmbente një pjesë të mirë të koleksionit; djegia e shtëpisë në Pejë do shkrumbonte dhe 80 harta, ndërkohë që një pjesë e mirë e koleksionit që nuk ndodhej në shtëpi, për fat, shpëtoi. Ishte pjesa tjetër, të cilën Afrim Ethemi, e ruante në Prishtinë. Për hartën e parë të blerë, ai tregon se ajo i përket Evropës, por jo e ndonjë autori të veçantë. Ndërkohë që pas luftës ai ia ka ndryshuar kursin mbledhjes së hartave, duke iu kushtuar vetëm atyre që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe trojet shqiptare. Sakaq, vlerëson si më të veçantën një hartë të Ptolemeut. Sipas tij, ajo flet për një periudhë të largët. "Ptolemeu, thotë Afrim Ethemi, ishte një ndër themeluesit e hartografisë, por ai pas vetes nuk ka mundur të lërë harta origjinale, sepse janë të shekullit të dytë, por kanë mbetur shënime". Për Ethemin, hartat e kanë edhe vlerën artistike dhe këtë vlerë e fitojnë nga vjetërsia. Por tej një koleksioni, ai pretendon se hartat e tij mund të shërbejnë si dëshmi e dokumente historike për jetën e shumë popujve në rajon, e sidomos të shqiptarëve. E si për të shkuar gjuha atje ku dhemb dhëmbi, ai shprehet se Serbia në harta përmendet shumë vonë. "Në harta, në ato që unë i konsideroj si më të vlefshme, organizimi ka qenë krejt ndryshe, në bazë të popullatës, apo në bazë të sundimeve të ndryshme. Në atë kohë ndryshojnë jo emërtimet, por mënyra e shkrimit të atyre territoreve, si është shkruar, ose si është identifikuar ai territor. Kemi disa harta ku nuk përmenden shumë vende, por përmendet Dalmacia si shtet ilir, pastaj përmendet Dardania. Gjatë kohëve të ndryshme, kemi harta më të vjetra, ku Serbia nuk përmendet. Kjo e fundit përmendet shumë vonë", thotë Afrim Ethemi. Dhe ky pretendim epistolar i tij do ketë rastin të vërtetohet kur ai të vijë e ta ekspozojë në Tiranë koleksionin e tij. E.H.