Riker: Kriza politike të zgjidhet sa më shpejt

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Filip Riker deklaroi se liderët politikë në Maqedoni duhet të punojnë në gjetjen e daljes nga kriza politike.
“Dialogu politik është i rëndësishëm kudo në botë, si ne vendin tuaj, ashtu edhe në çdo vend tjetër. Jemi të bindur se në emër të qytetarëve të Maqedonisë liderët e vendit dhe të partive politike do të mund t`u përgjigjen sfidave të ndryshme aktuale dhe të ardhshme. Varet prej tyre nëse do të gjejnë zgjidhje për krizën”, theksoi Riker.
Këto komente ai bëri pas një konference për shtyp, ku janë promovuar grante nga USAID-i për organizatat joqeveritare, të cilat zbatojnë projekte për përkrahje të mikro sipërmarrjes dhe efikasitetit energjetik në Maqedoni.
Ai shpreson se deri në fund të mandatit të tij si ambasador i SHBA-së në Maqedoni, të takohet me të gjithë liderët politikë, duke e përfshirë edhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.