Riker përforcon pistën amerikane të Albpetrolit. Takohet me Rezart Taçin, Bugajskin dhe Pushkar

Reeker ne TV-AS me Bugajskin
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Riker, ka qenë të shtunën i ftuari i emisionit të Janush Bugajskit “Bugajski Hour” në Albanian Screen. Ambasada amerikane në Tiranë shpërndau një foto nga kjo intervistë, e cila transmetohet të enjte, ndërsa burime nga TV thanë se Filip Riker foli për zhvillimet në Shqipëri, por edhe për të ardhmen integruese të mbarë rajonit tonë.
Riker ndodhet në Shqipëri për një vizitë të pazakontë 5-ditore. Para ardhjes së tij, në një raport të televizionit më të madh në vend, Top Channel, lihej të kuptohej se ai vinte mes të tjerash për çështjen e privatizimit të Albpetrolit.
Shpallja e ofertës fituese të Albpetrolit ka rritur vëmendjen, për shkak se konsorciumi fitues duket se ka lidhje pikërisht me personazhet që zoti Riker ka takuar sot mbasdite, Rezart Taçi, Janush Bugajski dhe Esad Pushkar.
Qeveria ka heshtur deri tani për fituesin e mundshëm, por ka deklaruar përmes Ministrisë së Ekonomisë se do konsultohet për vendimin me konsulentin ndërkombëtar Patton Boggs.
Riker ka takuar gjatë këtyre ditëve zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, por dhe zyrtarë të niveleve të ulëta, kryetarë komunash apo drejtues të shoqërisë civile. Riker e mori detyrën e Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit më 8 gusht 2011. Ai mbikëqyr punën në Zyrën e Çështjeve të Evropës Jugqendrore dhe ka nën përgjegjësi marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.