Si në skenar filmash: 70 vjeçarin nga Kosova e shantazhojnë me foto nudo
Një qytetar 70 vjeçar nga Kosova ka rënë pre e një shantazhi me foto nudo, që të ngjan me një skenar filmash.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur ngjarjen në fjalë dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Të akuzuar janë Teki Syla, 39 vjeç, nga Kukësi dhe Drita SH., 48 vjeç, nga Durrësi, raporton Panorama.
Por si është ngjarja?
Të dy të akuzuarit e kanë studiuar mirë shtetasin kosovar në Durrës dhe kanë arritur në përfundimin se ai ka para. Pasi e kanë përzgjedhur viktimën, gruaja është hedhur në aksion. Ajo është njohur me shtetasin kosovar me iniciale D.K. Pasi janë takuar disa herë, kanë rënë dakord që të shkojnë në shtëpinë e gruas për të bërë seks.
Pasi kanë shkuar në shtëpi, janë zhveshur dhe kanë hyrë në të njëjtin shtrat. Por në këtë moment në skenë del Teki Syla, që nis të fotografojë dhe të regjistrojë me celularin shtetasin kosovar nudo në krevat me të akuzuarën. Syla i ka bërë të ditur atij se duhet të japë plot 15 mijë euro që fotot e video të mos përfundojnë në duart e familjes së tij.
Shtetasi kosovar u ka thënë se nuk i ka paratë, por ata e kanë detyruar që të nënshkruajë një deklaratë noteriale ku thekson se u ka borxh atyre 15 mijë euro. Pas nënshkrimit të deklaratës noteriale, shtetasi kosovar është vënë nën presion disa herë. Në këto kushte ai është drejtuar për në polici, e cila ka përgatitur kurthin. 70 vjeçari ka lënë një takim me të akuzuarin për ti dhënë paratë, por në këtë moment është shfaqur policia, që ka arrestuar Teki Sylën.