Ministri danez takon Totozanin: Bileta për në BE nuk është falas
Ministri për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Mbretërinë e Danimarkës Friis Bach thekson se Shqipëria ka përpara sfida të mëdha, pasi të gjitha demokracitë kanë nevojë për institucione të pavarura. “Kemi marrë frymëzim për partneritetin e ardhshëm me Shqipërinë. Shohim një numër të madh hapash përpara, por shohim se ka dhe sfida përpara. Do punojmë më tepër për të forcuar dhe thelluar demokracinë në Shqipëri. Të gjithë demokracitë kanë nevojë për institucione të forta të pavarura që mund të shërbejnë si zëri i qytetarëve. Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian, por sigurisht që bileta nuk është pa para, prandaj duhen bërë përpjekje shumë të mëdha. Kjo është një sfidë por njëkohësisht është mundësi, një shans që i jepet Shqipërisë”, tha ministri. Ministri danez u prit nga Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili shprehu mirënjohjen për mbështetjen që ka dhënë Mbretëria e Danimarkës, që nga themelimi i këtij institucioni në Shqipëri. “Ka një lidhje shumë të ngushtë mes institucionit tonë dhe Mbretërisë së Danimarkës,Ministrisë së Jashtme të Danimarkës, Avokatit të Popullit danez, bashkëpunim i cili ka nisur që në hapat e parë të institucionit dhe do të vazhdojë dhe vitet në vijim. Për këtë i shpreha mirënjohjen ministrit për një ndihmë të pakursyer në konsolidimin dhe formimin e një institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues, siç është Avokati i Popullit”, tha Totozani.