E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis beteja e Bamir Topit për të dominuar të djathtën

Nga Erion HABILAJ

Ish-Presidenti i Republikës dhe ish-nënkryetari i PD-së është prezantuar dje si njeriu që do të rikthejë të djathtën e vërtetë në Shqipëri. Në këtë mënyrë Bamir Topi zyrtarisht pjesë e FRD-së, parti që u krijua vetëm pak muaj më parë nga Gazmend Oketa dhe disa personalitete të së djathtës. Gjatë prezantimit Topi tha se kjo nismë nuk është një projekt personal, por se lidhet me vazhdimin e misionit qytetar që do të jetë në funksion të gjerë publik. Ai bëri me dije se do drejtojë këtë parti deri në Kuvendin Kombëtar në kuadër të një partie me politikanë me vlerë, ndërsa e cilësoi praninë e tij në këtë parti si një sfidë personale. FRD është krijuar nga disa figura të spikatura jo vetëm të politikës por dhe shoqërisë civile, ku veç Topit janë pjesë dhe Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Edlira Gjoni, etj. Prezantimi i Topit

Një prezantim i zgjedhur me kujdes nga themeluesit e FRD-së, ku në cilësinë e kryetarit provizor Topi theksoi se kjo parti nuk do nuk do të bashkëpunojë me asnjë palë që përfaqëson politikën e vjetër dhe se do synojë të mbrojë vlerat e vërteta qytetare dhe europiane. Pas 5 vjetësh rikthehem në politikë me përgjegjësi më të lartë për rritjen e standardeve të demokracisë. Është i papranueshëm fakti që Shqipëria edhe sot pas 20 vitesh vijon të jetë vendi i vetëm ish komunist që nuk ka marrë ftesën për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe kjo nuk e nderon politikën shqiptare e cila priret të shkojë drejt një debati pa vlerë dhe që sjellë vetëm tension. Ata që nuk arritën të bënin asgjë duke ua sjellë në majë të hundës shqiptarëve janë drejtuesit e dy partive politike të një tranzicioni tejet të zgjatur i cili ka sjellë vetëm mundim. Mjaft gjëra që kanë të bëjnë me themelet e një shteti demokratik nuk janë arritur, çështja e votës është e parealizuar, çështja e pronës, drejtësisë, ndarjes me të kaluarën. Pas dy dekadash qytetarët kanë arsye të jenë të zhgënjyer nga politika, nga klane politike që refuzojnë të numërojnë dhe respektojnë votën e tyre, u shpreh Topi.
Berisha merr gjithë pushtetet
Sipas Topit pazaret politike kanë krijuar një sistem të pabesueshëm nga publiku dhe ajo që e dallon dhe e bën identitetin e Frymës së re Demokratike më të plotë është vizioni për shtetin dhe qytetarin. Ai tha se FRD nuk synon pushtetin dhe nuk do të pranojë për asnjë arsye marrëveshje individuale të ndërtuar mbi baza amorale dhe antikushtetuese, ndërsa theksoi se ndahet nga PD-PS pasi të vetëm apo së bashku këto dy parti janë përgjegjëse të dështimit të tranzicionit dhe sa herë erdhën në pushtet i përjashtuan shqiptarët nga vendimmarrja. Topi deklaroi se FRD nuk i urren kundërshtarët dhe se nuk përjashton askënd të japë kontribut, nuk mohon arritjet, por nuk pajtohet me ata politikanë apo parti që luksi i pushtetit mbetet synim i përjetshëm. Sipas tij Parlamenti aktual është jo funksional, ku pushteti mban nën kontroll Parlamentin dhe institucionet tjera të pavarura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›