Riker vazhdon vizitën në Maqedoni

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan për Evropë dhe Evroazi, Filip Riker po vazhdon vizitën e tij në Maqedoni, pas pjesëmarrjes në Konferencën dyditore mbi 10 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
Riker gjatë qëndrimit në Shkup sot pritet të zhvillojë disa takime me zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, ku përmendet takimi me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Besimi. Zyrtari i lartë i administratës amerikane pritet të takohet edhe me drejtues të partive politike.
Ai mbërriti të premten në Maqedoni për pjesëmarrje në Konferencën mbi 10 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
Riker në këtë konferencë ka dhënë mesazhe mbi zhvillimet politike aktuale në Maqedoni, sfidat që po përjeton Marrëveshja e Ohrit si dhe mesazhet për të ardhmen e vendit.
“Është lehtë që të evidentohen mangësitë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit nga kjo distancë kohore, por nuk duhet të harrojmë se para dhjetë viteve Republika e Maqedonisë ishte në prag të luftës qytetare. Presidenti i ndjerë Boris Trajkovski kërkoi ndihmën e SHBA-ve dhe partnerëve ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit, që solli edhe tek procesi i paqes dhë më në fund kjo marrëveshje i mundësoi Maqedonisë që të jetë një shtet multikulturor dhe një shoqëri multietnike”, deklaroi Riker në kuadër të konferencës, duke kërkuar nga lidershipi politik shqiptar dhe maqedonas që të përkushtohen drejt realizimit të plotë të kësaj marrëveshje.
Filip Riker gjatë këtij muaji nisi detyrën e re të zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, ndërsa paraprakisht ai kishte kryer detyrën e ambasadorit amerikan në Maqedoni.