E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonceptimi pa cilësi në sistemin tjetër

Brenda 10 ditësh, 5 piktorë ripikturuan në muret e Galerisë Kombëtare të Arteve vepra të realizuara gjatë viteve të diktaturës

Nuk pati ceremonira, prezantime, shpjegime konceptesh. Njerëzit panë dhe morën çka deshën. Gjithçka spontane si në të vërtetë ishte i gjithë projekti. Mbrëmë, në Galerinë Kombëtare të Arteve u mbyll “Ri-pikturimi. Një ekspozitë mbi shtresëzime”. Një projekt, i cili në të vërtetë vjen vonë në Shqipëri, por që ka ngjallur interesin e artistëve dhe të publikut. Në ish-sallën e kuqe, tashmë të zhveshur e në prag rikonstruksioni, 6 artistë, 5 prej të cilëve që kanë punuar gjatë viteve të diktaturës, ripikturuan vepra të realizuara kohë më parë. Por këtë herë jo në kavalet, por në muret e ish-pavijonit. Në një vështrim të përgjithshëm, punët e ripikturuara nuk paraqesin ndonjë nivel të lartë artistik, ndoshta për shkak të kohës së shkurtër, apo edhe për faktin që do të fshihen sërish, megjithatë ishte një tentativë, jo vetëm për të sjellë një eksperiment të zhvilluar në Evropë në vitet ’80, por edhe për të parë ndryshimin konceptual të artistëve. Disa prej piktorëve kishin zgjedhur punë, për të cilën sot kanë një tjetër koncept, të tjerë thjesht kishin risjellë, ndoshta në një teknikë më të avancuar, pikturën e dikurshme. Kështu, piktori Skënder Kamberi, kishte zgjedhur një punë të realizuar 39 vite më parë. Një vepër e përmasave të mëdha, kushtuar Shqipërisë. Në konceptin e 4 dekadave të shkuara, piktori e shihte Shqipërinë si një grua e fortë fshatare, me flamurin në supe, në këmbët e së cilës qëndronin fqinjët, që donin të copëtonin trojet shqiptare. Kamberi thotë se atëherë në imazhin e tij Shqipëria ishte një grua fshatare, (madje me tiparet e ashpra të jugut), pasi shumica e popullsisë ishte e tillë. Ndërsa sot, ajo është një femër nudo. Për të Shqipëria sot është e zhveshur, si rezultat i korrupsionit, i politikës së keqe, që e ka varfëruar vendin dhe ka detyruar edhe vajza të shesin trupin për të mbijetuar. “Unë e shoh realitetin pa gjyzlykë, siç e shohin njerëzit e thjeshtë”, - thotë piktori.

Xheneta Kadillari i është rikthyer një grafike të viteve ’80. Titullohet “Informacion politik”. Në murale paraqitet një grup njerëzish që dëgjojnë (padyshim) sekretarin e partisë të lexojë një gazetë të kohës. Por ndryshe nga grafika, fytyrat e njerëzve duken të zymta. Një fshatari i janë varur mustaqet, ndërsa një grua ka shtrembëruar fytyrën. “Kam dashur të vë në dukje fryrjen e informacioneve që ofroheshin atëherë nëpër gazeta. Aq të zmadhuara janë “arritjet”, saqë ata njerëz të shkretë nuk kuptojnë asgjë nga ato që thuhen”, - shton Kadillari.

Ndërsa Taso ka krijuar një punë nga e para, “Balanca e realizmit socialist”. Veçse për t’u kthyer pas në kohë, ka rimarrë dy elementë të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, ku ai ka qenë bashkautor. Duket se një luftëtar me fustanellë dhe një fshatare me pushkë në dorë, ruajnë peshoren e çuditshme të realizmit socialist. Piktori Sali Shijaku ka risjellë një pjesë të tablosë që të pret që në hyrje të Galerisë Kombëtare, “Punëtorët në studion e piktorit”. Ai ka rimarrë profilin e një bojaxhiu, të ulur në karrike, që sheh i çuditur veprat e piktorit.

Piktori Ksenofon Dilo duke ripikturuar një vepër të vitit ’72, e sjell me ngjyra më të gjalla qytetin e Gjirokastrës, dikur i paraqitur me nuancat e grisë.

Agim Kadillari rimerr ca mbresa nga Bjeshkët e Namuna. Ndërsa Heldi Pema bën një rekuijem për duart. Janë duart e piktorëve, ku duken njollat e bojës, së punëve që sapo kanë realizuar. Të gjitha këto së shpejti do të mbulohen nga gëlqerja, por do të jenë si një kujtim nën lëkurën e re të galerisë, e cila ka nisur të rikonstruktohet. Projekti i ripikturimit u drejtua nga kuratorët gjermanë Andre Siegers dhe Sonja Lou, të cilët sollën këtë ide, nisur nga projekti për të rikonceptuar Galerinë Kombëtare të Arteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›