Mblidhet bordi i TOB-it, vendosen rregullat e lojës
Bordi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ëhstë mbledhur për takimin e parë të këtij sezoni. Pas miratimit nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, anëtarët e rinj janë ndodhur menjëherë përballë detyrave dhe kompetencave të tjera që parashikon Ligji “Për artin skenik”. Sipas drejtori të TKOB-it, Zhani Ciko, mbledhja e bordit u zhvillua normalisht (Pas përplasjeve me bordin pararendës, normaliteti duket një “çudi”). U diskutua për kalendarin e tri muajve të fundit të vitit, për kompetencat e bordit, si dhe u miratua rregullorja e tij. Sipas Cikos, anëtarët e bordit bënë edhe vërejtje në lidhje me çështje të ndryshme, por gjithçka në mënyrë profesionale, duke qenë se janë profesionistë në fushat përkatëse, si muzikë, koreografi, pikturë, etj. Ciko thotë se bordi nuk do të jetë thjesht këshillimor, pasi ai merr vendime për strategjinë e institucionit, kalendarin dhe kriteret e vlerësimit artistik. “Gjithçka është e shkruar në ligj, i cili zbërthehet në statutin e institucionit e më tej në rregulloren e brendshme që po hartojmë”, - thotë Ciko. Në të vërtetë, në ligj, ka një lloj mospërputhje. Kur përshkruan detyrat e bordit në ligj thuhet se ai është një organ kolegjial, ndërsa tek kompetencat renditen pikat, ku ka të drejtë të marrë vendime. Gjithsesi në mbledhjen e parë të bordit nuk kishte shumë për t’u thënë. Kalendari është miratuar që në krye të vitit dhe bordit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të jepte ndonjë këshillë për sezonin e ardhshëm. Kështu, mësohet se bordi ka tërhequr vërejtje për më shumë vepra kombëtare në kalendarin artistik.