Rikonstruksionet e rrugëve, ferri i qytetarëve
Edhe pse sipas planit duhen më pak se dy muaj nga afati i përfundimit të rrugës së varrezave në Durrës, niveli i punimeve duket mjaft larg përfundimit. Shirat e parë të vjeshtës të këtyre ditëve kanë krijuar një situatë tepër të vështirë në këtë aks rrugor. Kortezhet të cilat përcjellin për në banesën e fundit njerëzit e tyre, vuajnë gjendjen e rëndë të kësaj rruge. Varrezat e Durrësit ndodhen 5 km larg qendrës së qytetit, por për të mbërritur deri atje, makinave u duhet pothuajse 1 orë dhe kjo në kushtet kur nuk ka përplasje oraresh për të kryer këtë ritet e varrimeve. Riparimi i kësaj rruge ka nisur ditët e para të muajit maj të këtij viti, por punimet kanë ngecur apo po ecin shumë ngadalë dhe nuk premtojnë respektimin e afatit të deklaruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Tiranë, e cila është edhe përgjegjësja e këtij projekti. Në 6 maj të këtij viti, nisi puna për rikonstruksionin e rrugës së varrezave e cila ndodhet në zonën e Spitallës në Durrës. Ajo ishte katandisur në një gjendje shumë të rëndë edhe pse është njëra ndër akset më të rëndësishme të Durrësit. Bëhet fjalë për segmentin shkolla 9-vjeçare “Naim Babameto” – ish-kombinati kimik. Për banorët e Durrësit kjo rrugë ka rëndësi, pasi lidh pjesën kryesore të qytetit me të dyja varrezat e tij, ndërsa për qeverinë ajo merr edhe një rëndësi tjetër atë të lidhjes së qytetit me parqet e ardhshme industriale dhe energjitike. Për të realizuar këtë projekt janë dhënë 222 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Segmenti që po i nënshtrohet riparimit është 2 km i gjatë dhe 16 m i gjerë. Por gjendja e tij paraqitet mjaft e rëndë, pasi punimet po ecin me hapin e breshkës dhe rruga përfaqëson një baltovinë të përkeqësuar nga shirat e këtyre ditëve që paralajmëruan se stina e thatë përfundoi.
Kur zyrtarisht nisi puna për rikonstruksionin e kësaj rruge, u deklarua se afati i përfundimit do të jetë pas 7 muajve. Por deri atë ditë kanë mbetur vetëm 2 muaj dhe ajo që shihet nuk premton aspak respektimin e afatit. Rruga ende nuk është konturuar dhe nga të dyja anët për të përcaktuar gjerësinë e saj e për të ndërtuar trotuaret. Hedhja e shtresave të gurëve nuk është kryer ende çka do të thotë një dimër i vështirë për banorët e zonës si dhe për ata që do të marrin pjesë në ceremonitë mortore. Ajo që shihet për realizimin e këtij projekti janë vetëm një grusht punëtorësh si dhe disa mjete që punojnë në këtë aks. Drejtoria e Rrugëve, e cila ka caktuar edhe supervizorin e projektit, duhet të shohë realizimin e projektit, pasi ky aks është tepër i rëndësishëm për Durrësin. Ndërkohë segmenti tjetër nga Mauzoleu i Dëshmorëve deri te spitali rajonal e që është pjesë e kësaj rruge po shkatërrohet për çdo ditë, ndaj investimi mbetet nevojë urgjente.