Shirat rrezikojnë kodrat e Durrësit
Shirat e tetorit të këtyre ditëve kanë rrezikuar seriozisht kodrinat e qytetit dhe u kujtuan banorëve të Durrësit se stina e nxehtë mbaroi dhe se sezoni dimëror sapo ka nisur. Por gjatë këtyre ditëve u kujtuam se problemi i kanalizimeve në sistemin kodrinor do të vazhdojë të jetë një problem i pazgjidhur pasi rrugët që lidhen me to u mbushën me baltë e zhavorr me origjinë lartësitë. Kolektori ose kanali i ujërave të larta ka vite që ka dalë jashtë përdorimit, për shkak të ndërtimeve pa leje si dhe për shkak se ka vite që nuk është pastruar pasi mjetet e rënda nuk kanë nga të kalojnë. Kjo situatë ndikon në bllokimin e rrugëve sa herë që ka shira të rrëmbyer. Pasi reshjet pushojnë, duhet më shumë se 1 orë që akset rrugore të bëhen të kalueshme për këmbësorët. Ato që e pësojnë janë blloqet pas Mauzoleut të Dëshmorëve si dhe ato në hyrje të qytetit të Durrësit. Duket se ndërtimi i një sistemi kullimi nëpër kodrat e Durrësit është ende një projekt i largët për vetë koston që mbart, kështu që banorët e këtyre lagjeve edhe për disa vjet do të vazhdojnë të përballen me pasojat e shirave të rrëmbyer që në Durrës shkaktohen shpeshherë nga stuhitë detare. Të tilla ishin edhe shirat e parë të vjeshtës gjatë këtyre ditëve.