E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen konfliktet në Burgun e Shën Kollit

LEZHE- Rikthehen trazirat në Burgun e Shën Kollit në Lezhë. Burime policore nga ky burg bëjnë me dije se i burgosuri Besnik Lekgega, i cili para disa ditësh u plagos rëndë me thikë nga Kastriot Mardhoçi, ka tentuar të hakmerret. Mësohet se të dielën, Lekgega ka dalë nga dhomat e ajrimit dhe ka hyrë në korridorin që ndan dhomat e izolimit të godinës 5 me godinën 4, duke tentuar që të godiste të dënuarin Mardhoçi. Ka qenë polici që ruante dhomën e ajrimit të godinës 4 që ka pikasur Besnik Lekgegën. Polici ka mbyllur derën dhe ka kërkuar dhe ndihmën e kolegëve të tij. Menjëherë ka ndërhyrë grupi i sigurisë, i cili ka ndaluar të dënuarin me 20 vjet burg për vrasje dhe e ka dërguar atë në dhomat e paraburgimit. Konflikti mes dy të burgosurve ka nisur një muaj e gjysmë më parë. Fillimisht ishte Besnik Lekgega, i cili me ndihmën e tre të burgosurve të tjerë plagosi rëndë me mjete të forta Kastriot Mardhoçin. 

Ndërkohë, pak ditë para se të plagosej kryetari i Komunës Rrethina në Shkodër, Klevis Muja, i dënuari me 15 vjet burg (Mardhoçi) sulmoi dhe plagosi rëndë me thikë Lekgegën. Dy incidentet mes dy të burgosurve në fjalë janë mbajtur të fshehura nga policia. Nisja e hetimeve për plagosjen e kryekomunarit Muja, hodhën “dritë” mbi përleshjet mes dy të burgosurve të tjerë në Burgun e Shën Kollit në Lezhë. Megjithëse dy të dënuarit për vrasje vazhdojnë të konfliktohen me njëri-tjetrin me mjete të forta apo me thika, ata akoma mbahen në të njëjtin burg. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkamWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›