E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen polemikat për zgjidhjen e krizës në Shqipëri

Tiranë, 27 gusht - Pas polemikave të shumëfishta për përfshirje në afera korruptive midis anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës, sërish në vëmendje të politikës shqiptare është vënë nevoja e bashkëpunimit për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Siparin e deklaratave e çeli kryeministri Sali Berisha i cili me një gjuhë të zbutur tha se kërkonte bashkëpunim të plotë me opozitën, raporton BBC.
'Kemi qenë, jemi dhe do të jemi konstant për bashkëpunim me opozitën', tha zoti Berisha.
Por Arta Dade deputet e PS shprehu sërisht vendosmërinë e opozitës që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të kërkoje hetime për zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.
'PS pret që me nisjen e punimeve të kuvendit të filloje hetimi parlamentar dhe hapjen e kutive të materialeve zgjedhore që kurrë ëm ruzhdiet të mos përmbysin rezultatin e vendosur nga populli',  tha zonja Dade.
Politologu Arbër Zaimi i shikon këto deklarata si një përpjekje të të dy palëve për të zgjidhur krizën, por sipas tij megjithatë 'vihet re një krizë morali në politikën shqiptare'.
Zoti Zaimi vëren se ka një ndryshim të formës së konfliktit, që pritet te rezultojë me forcimin e pozitës së dy liderëve të poltikës, Berisha dhe Rama.
Në këtë situatë ka ndërhyrë dhe presidenti Bamir Topi i cili ka përsëritur nevojën e bashkëpunimit mes partive.
Por për politologun Arbër Zaimi ndërhyrja e presidentit është e vonuar dhe kjo “për shkak të qëndrimit që të dy palët si maxhoranca ashtu dhe opozita mbajnë ndaj këtij institucioni”.
'Por, thotë zoti Zaimi, shpresoj që atij t’i kthehet dinjiteti dhe roli i tij si garant mbi palët'.
Tashmë pritet fillimi i sezonit të ri politik, veçanërisht zhvillimet pas dekretimit të datës së zgjedhjeve lokale nga presidenti Topi, datë e cila pritet të bëhet e ditur në fillim të muajit të ardhshëm.
Paralajmerimet nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës se dekretimi i datës do të sjelli automatikisht djegien e fletëve të votimit që kërkohen të shqyrtohen, nga opozita janë cilësuar si një minim i bashkëpunimit për zgjedhjet lokale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›