Beqaj në Mitrovicë për të nxitur avancimin e zyrave për integrim

Mitrovicë, 27 gusht - Vizitat nëpër komuna kanë për qëllim nxitjen e ngritjes së kapaciteteve të zyrave komunale për integrim, tha të premten në Mitrovicë, ministri për integrime evropiane, Besim Beqaj. “...Ne si ministri jemi të gatshëm dhe mund të ndihmojmë, prandaj është i domosdoshëm organizimi më i mirë dhe avancimi i këtyre zyrave, gjë që do të ndodh pas konsultimeve me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës,” tha ai. Sipas tij, komunat kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, andaj duhet ta kenë prioritet ndërtimin e kapaciteteve për reformimin e administratës publike. Në këtë drejtim, tha Beqaj, ato do të përkrahen nga institucionet më të larta, në mënyrë që qytetarët të jenë përfitues dhe të shohin se proceset e ndryshimeve dhe integrimeve do të krijojnë ambient më të mirë për punë dhe për shërbime. Pas takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, Beqaj tha se Ministria që ai drejton po bënë përpjekje për përmbushjen e obligimeve që parashtrohen para saj, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me proceset e integrimeve evropiane. Ai shtoi se kuadrot që punojnë nëpër zyrat për integrime evropiane nëpër komuna, duhet të jenë njohës të mirë të reformave të administratës dhe pushtetit lokal dhe se ata duhet të merren vetëm me çështjet e integrimit dhe reformave, e jo siç ka ndodhur deri tash në shumë komuna, të kryejnë shumë punë të tjera e më së paku ato për çka janë punësuar. Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se komuna dhe institucionet e saj po bëjnë përpjekje që të zgjidhen problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Mitrovicës, në bazë të prioriteteve duke mos lënë anash as obligimet e tjera që ka komuna ndaj institucioneve më të larta të vendit, duke përfshi këtu edhe obligimet dhe detyrat e komunës në procesin e integrimit.