E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen reshjet në Shkodër, rritet niveli i ujit/Mblidhet Shtabi i Emergjencave, grupet në gatishmëri për ndihmë

22-12-2010 / Gazeta 55

Shtimi i prurjeve të lumenjve në veri të vendit si pasojë e shirave të rënë gjatë 24 orëve të fundit ka rritur shqetësimin e autoriteteve dhe banorëve të Shkodrës, për zgjerimin e hartës së zonave të përmbytura. Ndërprerja e reshjeve dhe ndërhyrja në disa argjinatura, thuajse e përgjysmoi sipërfaqen e përmbytur në fund të nëntorit. Por reshjet e dendura të së hënës që arritën në 55 mm, çuan në një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumenjtë mbi kaskadën Drin dhe Bunë. Sipas të dhënave zyrtare liqeni i Shkodrës është në kuotën absolute të 8.79 metrave, duke shënuar një rritje me 16 cm të nivelit të ujit. Sakaq niveli i ujit në lumin Drin është 8.86 metër, duke shënuar një rritje gjatë mbrëmjes me 50 cm. Edhe në Dajç shënohet një rritje e nivelit të ujit me 30 cm. Prurjet kanë shënuar një rritje të ndjeshme edhe në Kir dhe Gjadër, përkatësisht me 300 metër kub në sekondë dhe 200 metër kub në sekondë. Duke iu referuar prurjeve të mëdha si dhe shkarkimeve në rritje nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit, Prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu ka ripërsëritur thirrjen drejtuar banorëve të evakuuar, që të mos lëvizin nga qendrat e pritjes. Sipas informacionit zyrtar të qarkut Shkodër, situata në qytet mbetet e njëjtë me atë të një dite më parë, dhe e vetmja zonë ku uji vijon të jetë prezent është ajo në lagjen Livadhë. Në Komunën Ana e Malit, situata është e përkeqësuar krahasuar me të hënën, ku niveli i ujit është rritur me 10 cm. Sakaq komunat që vijojnë ende të jenë të përmbytura janë ajo e Obotit dhe fshati Goricë, ku mund të kalohet vetëm me mjete të larta. Ndërsa aksi rrugor Shkodër-Muriqan është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve. Edhe në Komunën Bushat paraqitet e njëjta situatë, ku nuk shënohet rënie e nivelit të ujit. Të kalueshme janë rrugët lidhëse të kësaj zone me fshatrat Mali i Jushit-Bend-Ura e Gjonlulit-Velipojë. Rritje të nivelit të ujit ka pasur edhe në Komunën e Bërdicës, ndonëse akset rrugore nuk paraqesin probleme, dhe janë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve. Vetëm rruga që lidh fshatrat e komunës Bërdicë ne Velipojën janë të bllokuara nga niveli i lartë i ujit në fshatin Trush i Poshtëm. Me 15 cm është rritur niveli edhe në Dajç. Në Darragjat me rreth 50 cm. Ndërsa akset që lidhin këtë komunë me fshatin Mushan Suka – Dajç janë të kalueshme me mjete të larta. E përkeqësuar paraqitet situata edhe në Komunën e Gurit të Zi, ku gjatë mbrëmjes ka patur një rritje të nivelit të ujit me rreth 30 cm. Edhe fshati Kuç, mbetet i mbuluar nga uji. Niveli i ujit në Komunën e Velipojës nuk ka pësuar ndryshime ne krahasim me atë të një dite më parë. Rrugët që lidhin këtë zonë me Shkodrën janë të kalueshme me të gjitha llojet e automjeteve. I pakalueshëm është vetëm aksi rrugor Trush i Poshtëm-Velipojë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›