Kushtetuesja nis shqyrtimin e kërkesës së PD për gjykatat

Mazhoranca kërkon interpretimin përfundimtar të neneve 125 e 136 të Kushtetutës që kanë të bëjnë me emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh të cilët kërkojnë interpretim përfundimtar të neneve 125 dhe 136 të Kushtetutës. Më parë, Kuvendi ka vendosur pezullimin e dekreteve të Presidentit derisa Kushtetuesja të qartësojë kriteret e përzgjedhjes dhe rotacionin për anëtarët e dy institucioneve. Prej disa muajsh, në Kuvend janë bllokuar gjashtë dekrete të Presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ku një nga arsyet është se deputetët pretendojnë se në to nuk është respektuar kushtetuta në kriteret që ka përcaktuar. Viktor Gumi, deputeti i Partisë Demokratike, përfaqësoi para Kushtetueses vullnetin e grupit të kolegëve që kanë firmosur kërkesën, duke argumentuar me detaje të gjitha pikat e neneve për të cilat kërkohet interpretim. Po kështu, edhe përfaqësuesit e Kuvendit në këtë proces, në cilësinë e palës së interesuar, kërkuan interpretim përfundimtar të Kushtetutës. Kurse institucioni i Presidencës në kërkesën me shkrim të dorëzuar në Gjykatë pohonte se nuk do komentonte asgjë, pasi mbështeste dekretet e firmosur nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Procedurat e përzgjedhjes së gjyqtarëve të lartë dhe asaj kushtetuese janë pjesë e “paketës” institucionale dhe kushtetuese të dizenjuar për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit. Procesi i përzgjedhjes mund dhe duhet të mbetet proces ku politika të ndërhyjë sa më pak që të jetë e mundur, por që në vetvete është absolutisht e pamundur të eliminojë njëqind përqind natyrën politike për shkak të zgjedhjes kushtetuese që kemi bërë, propozim të Presidentit të Republikës dhe pëlqim të përzgjedhjes nga Kuvendi i Shqipërisë. Procedurat e përzgjedhjes afektojnë si pavarësinë e gjykatësve në kapacitetin e tyre individual, ashtu edhe pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor si një i tërë. Në çdo rast ky rregullim nuk mund të veprojë në izolim nga faktorë dhe mekanizma të tjerë që sigurojnë dhe garantojnë pavarësinë e gjyqësorit, mekanizma që janë të përcaktuar në kushtetutë dhe ligje që miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
...