Zëvendëskryeministri Ilir Meta: “Grupet e punës po monitorojnë situatën”

Pas disa ditë qetësie, situata në Shkodër ka nisur të përkeqësohet disi, për shkak të reshjeve të rëna ditët e fundit, të cilat kanë rritur prurjet në liqenin e këtij qyteti. Për këtë arsye, dje në mbrëmje është zhvilluar mbledhja e Shtabit të Emergjencës në Shkodrës, dhe pas saj zëvendëskryeministri Ilir Meta ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe po monitorohet nga grupet e punës. “Situata për shkak të reshjeve shumë intensive, por edhe për shkak të shkrirjes së dëborës ka pasur një rritje të kuota të liqenit të Shkodrës po ashtu edhe tek ura e Bunës. Rritje të nivelit të ujit ka pasur edhe në Dajç. Kjo situatë është shoqëruar me rritje të sipërfaqes nën ujë”, tha Meta. Ai bëri të ditur se ka pasur shqetësime në Baçallëk për shkak të prurjeve. Shqetësime të veçanta ka pasur edhe komunën e Dajçit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës. Meta tha se në këtë argjinaturë po punohej për një kohë të gjatë. Por ai siguroi se janë marrë masa për të vazhduar operacionin e përditshëm në drejtim të furnizimit të banorëve dhe të sigurimit të rrugëve për furnizimin e banorëve dhe bagëtive me produkte ushqimore. Zëvendëskryeministri Meta ka garantuar se situata në kaskadë është e qëndrueshme, shkarkimet janë minimale, dhe po shkarkohet më pak se 1000 mijë m3/sek. Meta tha se ka pasur tendence për rritje të shkarkimit në Koman dhe Vaun e Dejës, pasi u rriten prurjet anësore nga shkrirja e dëborës. “Problemet kryesore kanë ardhur nga shkrirja e dëborës në Alpet tona dhe Malit të Zi, që kanë rritur nivelin e liqenit të Shkodrës. Por edhe prirjet në lumin Kir dhe lumin Gjadër. Por situata është nën kontroll të plotë”, ka siguruar zëvendëskryeministri Meta.
...