E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen targat “KS”, pas marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Marrëveshjet e para të arritura mes Kosovës dhe Serisë në takimet e zhvilluara deri më tani, kanë rikthyer targat “KS”. Kuvendi dhe presidenca kosovare, tashmë i kanë në duar konkluzionet e lehtësuesit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper. Dokumenti të cilin Cooper e quan “Konkluzionet e kryesuesit”, përmban 11 pika, për të cilat palët janë pajtuar në Bruksel.

Në pikën e parë thuhet se qytetarët e të dyjave palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës. Në pikën 2 thuhet se secila palë do të zbatojë një sistem të kalimit të kufirit të qytetarëve të palës tjetër me letërnjoftime. Krahas fjalës “kufi”, përdoret edhe shprehja “kufi administrativ”.

Në pikën tjetër të marrëveshjes, sqarohet se edhe Kosova, edhe Serbia mund të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me shkrim për “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë tranzit në një shtet të tretë. Kjo nënkupton që, qytetarët e Kosovës lejohen të përdorin pasaportat e Republikës së Kosovës, kur të kalojnë kufirin e Serbisë dhe shteteve të saj fqinje.

Gjithashtu, nëse Serbia aplikon dokument përcjellës për letërnjoftimet dhe pasaportat kosovare, në dokument thuhet qartë se këtë masë mund ta aplikojë edhe Kosova për qytetarët serbë. Në konkluzionet e Cooperit thuhet se targat “KS” mund të kalojnë në dhe përmes Serbisë, por askund nuk jepen sqarime për targat RKS, nëse ato duhet të mbulohen ose zëvendësohen me targa të përkohshme. Megjithatë, në pikën 9 të marrëveshjes, thuhet se çdo posedues i automjetit, nëse dëshiron, mund t`i marrë në kufi tabelat e përkohshme. Edhe ky element bazohet në reciprocitet.

Nga Serbia është paralajmëruar se nuk do të pranojë që automjetet me targa RKS të hyjnë në territorin e saj pa u mbuluar me targa të përkohshme, një masë të njëjtë kanë të drejtë ta aplikojnë edhe autoritet kosovare për automjetet me targa të Serbisë. Në dokument thuhet se qytetarët e të dyjave vendeve duhet të blejnë polisën e sigurimit kufitar të automjeteve në pikat kufitare, me synimin që të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke të polisave të sigurimit. Në dokument thuhet se si masë kalimtare, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë vlefshmërinë e targave KS të automjeteve për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh në përfundim të së cilës çështja do të rishikohet nga të dyja palët, me lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet. Në pikën 7, thuhet se që nga 1 nëntori e tutje, të gjithë qytetarët e Kosovës mund të përdorin vetëm targa RKS ose KS. Të gjitha targat e tjera serbe, të reja dhe të vjetra, nuk do të lejohen nga kjo datë. Kjo vlen edhe për serbët në Veri.

Targa të reja KS mund të lëshojnë vetëm autoritetet e Kosovës, me ndihmën e EULEX-it. Pika 10 e dokumentit nuk ndërlidhet direkt me lirinë e lëvizjes, por përmes saj sigurohet që riatdhesimi i kosovarëve që refuzohen në shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të mos sillen në Serbi, por në Kosovë. Një marrëveshje tjetër e përfshirë në konkluzionet e Cooperit është edhe çështja e diplomave, konkretisht njohja e tyre. Palët kanë rënë dakord për pranimin reciprok të diplomave universitare dhe shkollore përmes certifikimit të tyre nga një palë e tretë, një organizatë ndërkombëtare, ose nga një institucion arsimor ndërkombëtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›