Jahjaga i jep medaljen “Nëna Terezë”, kryetares së ICG

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ditën e sotme i ka dhënë medaljen humanitare "Nëna Terezë", kryetares së Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Louise Arbour. Këtë medalje, Jahjaga ia dha zonjës Arbour, në shenjë nderimi për përkushtimin e saj personal dhe kontributin dhënë në fushën e humanizmit.
Arbour e falënderoi presidenten për ndarjen e medaljes dhe respektin e treguar, thuhet në një njoftim nga Presidenca. "Ajo tha se Kosova ka shënuar përparime në fusha të ndryshme dhe theksoi nevojën e zhvillimit ekonomik të vendit", thuhet në njoftim.
Ndërkaq, presidentja Jahjaga e vlerësoi kontributin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për paqen dhe demokracinë në rajone të ndryshme, përmes raporteve e rekomandimeve të paraqitura.
Sipas saj, Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë do të qartësohej rruga e integrimeve evropiane. Edhe me këtë rast, Jahjaga ka përsëritur se është kundër ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve dhe riaranzhimeve të brendshme.