Kosovë, seancë e jashtëzakonshme për marrëveshjet

Tre grupet parlamentare opozitare të Kuvendit të Kosovës, kanë mbledhur 40 firma deputetësh, për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, që ka për qëllim të diskutojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht arritjen e tre marrëveshjeve të fundit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ditë më parë deklaroi se Kuvendi nuk është dhe nuk ka qenë i informuar me bisedimet Prishtinë-Beograd dhe për marrëveshjet e arritura.
Ai ia ka bërë të qartë qeverisë se nëse ekziston ndonjë dokument i nënshkruar me Serbinë, atëherë ai duhet të shkojë në Kuvend.
Por, nga pozita e tij si kryetar i Kuvendit, Krasniqi ka theksuar se nuk është ai që vendos nëse duhet të debatohet për këtë çështje në Parlament,pasi janë grupet parlamentare ato që duhet të kërkojnë diskutime të tilla.
Marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë ngjallur reagime të ashpra si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Opozita kosovare, por edhe analistë në Prishtinë, konsiderojnë se nga këto marrëveshje ka përfituar shteti serb dhe jo Kosova, pasi që nuk bëhet fjalë për marrëveshje ndërshtetërore.