E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen virozat, çdo ditë mbi 30 fëmijë në pediatri

Ndryshimi i menjëhershëm i temperaturave ka sjellë rritjen e numrit të rasteve me virozat e gripit. Të moshuarit dhe fëmijët kanë qenë kontingjenti që ka shfaqur më shumë probleme. Gati çdo ditë në repartin e pediatrisë në spitalin e Peshkopisë paraqiten rreth 30 fëmijë për të marrë trajtim mjekësor. Një pjesë e mirë e tyre, pas ndihmës së parë mjekësore, rikthehen në shtëpi, ndërsa një pjesë është shtruar për trajtim më të specializuar, për shkak të komplikacioneve që kanë shfaqur. Mjekët thonë se rritja e numrit të rasteve me grip ka ardhur për shkak të ndryshimeve të menjëhershëm të temperaturave gjatë ditëve të fundit. Ndërkohë, mjekët pediatër theksojnë se fëmijët që jetojnë në kolektiva: çerdhe, kopsht dhe shkolla, janë më të rrezikuar të preken nga virozat. "Numri i fëmijëve është i lartë, kjo edhe për faktin se një pjesë e mirë e tyre vijnë nga zonat fshatare, ku në shumë prej tyre mungon shërbimi mjekësor në qendrat shëndetësore, për mungesë mjekësh. Madje ka edhe fshatra të thellë malorë, ku fëmijët e vegjël nuk mund as të vaksinohen, sepse aty mungon edhe infermierja. Një pjesë e pacientëve që vijnë pranë spitalit, pasi marrin ndihmën e duhur mjekësore ambulatore, kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë tjetër shtrohen në repartin e pediatrisë", thotë mjeku pediatër, Hasan Lleshi. Mjekët pohojnë se situata është nën kontroll dhe nuk bëhet fjalë për epidemi gripale, edhe pse numri i rasteve me viroza vjen në rritje. Për ta, kjo është një situatë normale për këtë ndërrim stinësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›