E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Curri

Debatik Curri ka nisur të stërvitë pas lëndimit të rëndë që e kishte pësuar para pesë muajve. Mbrojtësi kosovar beson se deri në fillim të muajit të ardhshëm do të jetë në gjendje t’i ndihmojë Genclerbirligit. Ndërsa Kombëtares shqiptare, 27-vjeçari pret t’i rikthehet për ndeshjen eliminatore ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës. Nga Valon Konushevci më 09 mars 2011 në ora 15:23

Më në fund, Debatik Curri ka filluar të stërvitë, pas një lëndimi të rëndë që e kishte pësuar para më shumë se pesë muajve.

Qysh në muajin shtator të vitit të kaluar, futbollisti kosovar e pati pësuar një lëndim të rëndë duke i këputur ligamentet e gjurit të këmbës së tij të djathtë, me ç’rast iu kishte nënshtruar një operacioni në gju. Nga atëherë, 27-vjeçari nuk ka shkelur në fushë të gjelbër

Mirëpo, tani Curri ka nisur ta marrë veten. Mbrojtësi kosovar, i cili aktivizohet në elitën e futbollit turk me Genclerbirligi, po bën stërvitje të diferencuara - veçmas nga bashkëlojtarët e tjerë të ekipit. Ai beson se brenda dy jave do t’i bashkohet ekipit në seancat e rregullta stërvitore.

“Kam filluar para pesë ditëve të stërvit. Për fillim po bëj ushtrime më të lehta. Jam duke stërvitur veçmas nga ekipi. Shpresoj që përgatitjet të më shkojnë mirë dhe brenda dy jave besoj se do t’i nis stërvitjet bashkë me ekipin”, deklaroi Curri për Express.

Madje, prishtinasi është optimist se në fund të këtij muaji, apo më së largu në fillim të muajit të ardhshëm, do të jetë plotësisht i gatshëm për t’u aktivizuar në ndeshjet kampionale në futbollin turk.

“Besoj se deri në fund të marsit, apo në fillim të prillit, do të përfshihem në formacionin e ekipit”, theksoi Curri.

Ndërsa, Kombëtares shqiptare ai pritet t’i rikthehet në ndeshjen eliminatore për ‘Euro 2012’ ndaj Bosnjës e Hercegovinës, e cila do të zhvillohet në muajin qershor në Sarajevë.

“Ekipit kombëtar nuk do të mund t’i bashkohem për ndeshjen e muajit mars ndaj Bjellorusisë, por besoj se do t’i kthehem për ndeshjen e muajit qershor ndaj Bosnjës”, tha ish-futbollisti i Vorskla Poltavës.

Ai u shpreh të jetë shumë i kënaqur që po i rikthehet fushës së blertë, pasi i kishte munguar futbolli gjatë atyre muajve sa kishte pushuar për shkak të lëndimit mjaft të rëndë. Curri shpreson që lëndimet mos ta përcjellin më, derisa beson se shumë shpejt do ta arrijë formën optimale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›