Serbët kërkojnë “rrënjët” në Shqipëri

Në kuadrin e një projekti të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, “Pozita e pakicave kombëtare serbe në vendet fqinje”, një ekip i Muzeut Popullor të Uzhicës, i kryesuar nga etnologia Bosa Rosic, ka filluar punën për realizimin e një projekti të quajtur “Varret serbe dhe mbishkrimet mbi to” në vendet fqinje, midis tyre edhe në Shqipëri, vuri në dukje televizioni shtetëror serb RTS, sipas të cilit midis kërkimeve të parashikuara për t’u zhvilluar në Hungari, Rumani, Shqipëri dhe Itali, ato kanë përfunduar tanimë në Rumani, ndërkohë që kërkimet paraprake në Shqipëri, të parat e këtij lloji në këtë vend, treguan se në këtë projekt duhet të përfshihen edhe specialistë të fushave të tjera, “si për shkak të historisë serbe, ashtu edhe për shkak të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Shqipëri”.
Synimi i projektit të muzeut të lartpërmendur, sipas RTS-së, është “leximi i historisë serbe në objektet fetare prej guri që, në fakt, në Shqipëri kanë mbetur shumë pak pas vendimit të marrë nga qeveria shqiptare e atëhershme për shkatërrimin e objekteve të kultit”.
Sidoqoftë, autorja e projektit të sipërcituar, Bosa Rosic, thotë se epitafe (mbishkrime varresh) ka, megjithëse, “për fat të keq, kur u suprimua përdorimi i shkrimit cirilik dhe kur u mbyllën shkollat tona në Shqipëri, të gjithë duhet të kalonin te mësimi i shkrim-këndimit në gjuhën shqipe dhe në përmendoret fetare që u ngritën më vonë, dominojnë shkrimet latine”.