Rikthehet dëbora, probleme në disa zona të vendit

Rikthehen sërish reshjet e dëborës, duke shkaktuar probleme në qakullimin e mjeteve në disa zona. Vështirësi sipas informacioneve janë ndeshur kryesisht në juglindje të vendit, pasi gjatë natës së mbrëmshme reshjet e dëborës kanë vijuar me intesitet në qarkun e Korçës. Kështu, sipas informacioneve nga shtabi i emergjencave në këtë qark, aksi Korçë-Ersekë kalohet me zinxhirë në Qafën e Qarrit për shkak të dëborës. Gjithashtu edhe aksi Korçë-Dardhë kalohet me zinxhirë dhe dëbora arrin deri në 40 cm trashësi. Mësohet se në akset e tjera rrugore në qarkun e Korçës nuk ka probleme për qarkullimin e automjeteve.
Po ashtu, reshjet kanë rinisur edhe në veri dhe verilindje të vendit që prej mesditës së djeshme. Në qarkun e Dibrës dëbora ka qenë prezente, por nuk ka shkaktuar probleme. Vazhdojnë të jenë të bllokuara prej disa javësh komunat Zalldardhë, fshatrat e komunës Zallreç, ndërsa probleme vazhdojnë të kenë disa shkolla, si pasojë e mungesës së lëndës drusore. Ende frekuentimi në shkolla nuk është e plotë, pasi ka nxënës që nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të zonave të izoluara. Në rrethin e Bulqizës temperaturat janë ulur tej mase duke shkaktuar ngrica dhe akull në akset rrugore. Probleme evidentohen në Qafë Buall, Fushë Bulqizë, ndërsa aktualisht reshjet e dëborës vijojnë në zona të thella malore. Vijojnë të mbeten të izoluara fshatrat në komunat Ostren, Trebisht, Martanesh, apo Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël.
Edhe në qarkun e Kuksit ka rinisur dëbora, por nuk ka sjellë pasoja të rënda. Në qytet nuk ka prezencë bore, por vetëm në zona të larta malore. Të bllokuara që prej reshjeve të para mbeten komuna Arrën bashkë me fshatrat e saj, fshati Borje i komunës Shishtavec, Orgjosti i komunës Zapod, fshatra të Komunës Topojan dhe fshati Tërshen i komunës Bicaj.
Në Tropojë ka rinisur dëbora vetëm në lartësinë 650 metër mbi nivelin e detit, por nuk ka shkaktuar probleme. Të bllokuara vazhdojnë të jenë Lugina e Valbonës, Dragobia, Ragam i Shalës, një pjesë e madhe e fshatrave të komunës Lekbibaj, disa fshatra të komunës Tropojë, si dhe fshatra të komunës Fierzë, por po punohet për hapjen e tyre.